Universiteti “Nënë Tereza” në Shkup dhe Universiteti i Tiranës do të bashkëpunojnë ngushtë në fushën akademike dhe kërkimin shkencor. Rektori i Universitetit të Tiranës, Prof. Dr. Mynyr Koni, i shoqëruar nga Dekani i Fakultetit të Shkencave të Natyrës, Prof. Dr. Spiro Drushku dhe anëtari i Senatit Akademik të UT-së, Prof. Dr. Edmond Dragoti, vizitoi Universitetin “Nënë Tereza” në Shkup.

DSC_0107

Gjatë kësaj vizite, Rektori i UT, Prof. Dr. Mynyr Koni dhe Rektori i Universitetit “Nënë Tereza” të Shkupit, Prof. Dr. Aziz Pollozhani nënshkruan një marrëveshje të bashkëpunimit, e cila do të sjellë më afër stafet dhe studentët e të dy universiteteve. Kjo marrëveshje u nënshkrua në prag të festimeve për 131-vjetorin e hapjes së Mësonjëtores së parë në gjuhën shqipe.

DSC_0143

Gjatë takimit, Rektori i UT-së, Prof. Dr. Mynyr Koni vlerësoi punën e bërë për ngritjen e këtij universiteti, i cili mban dhe emrin e shenjtores së madhe shqiptare Nënë Tereza, si dhe premtoi ndihmën e plotë dhe të pakushtëzuar të Universitetit të Tiranës për zhvillimin e tij të mëtejshëm. Marrëveshja e bashkëpunimit mundëson shkëmbimet e stafeve akademike, shkëmbimin e përvojës, pjesëmarrjen në projekte ndërkombëtare, etj.

DSC_0174 DSC_0173

Rektori i Universitetit “Nënë Tereza” në Shkupit, Prof. Dr. Aziz Pollozhani vlerësoi marrëveshjen e arritur si dhe theksoi rolin që ka Universiteti i Tiranës në të gjithë hapësirën mbarëshqiptare. Ai kërkoi fuqizimin e këtij bashkëpunimi me rëndësi të veçantë.

Gjithashtu, gjatë Manifestimit të organizuar nga Universiteti “Nënë Tereza” në Shkup me rastin e hapjes së shkollës së parë shqipe, Rektorit të Universitetit të Tiranës, Prof. Dr. Mynyr Koni iu nda “Pllakatë e Mirënjohjes” nga Rektori i UNT-së, Prof. Dr. Aziz Pollozhani. Në këtë ceremoni mori pjesë dhe Zv. Ministri i Arsimit dhe Shkencës së Maqedonisë, Z. Arbër Ademi dhe kryetari i komunës së Çairit, Z. Visar Ganiu, të cilët iu drejtuan të pranishmëve me nga një fjalim përshëndetës.

DSC_0194

Vlen të theksohet se pjesë e Manifestimit ishte edhe promovimi i korit të UNT-së “Lorenc Antoni” me dirigjente Agona Çupi. Edhe pse ka pak kohë që është themeluar, kori i vajzave pati një paraqitje mjaftë të mirë falë punës së palodhshme të dirigjentes dhe angazhimit serioz të vajzave të korit.

DSC_0222 DSC_0217

By