Programet studimore të UNT-së, për herë të parë para maturantëve të Manastirit dhe Prespës!
Manastir, 05.04.2019 Në mungesë të paraleleve shqipe dhe në mungesë të një shkolle të mesme shqipe në Manastir apo në Resnjë, promovimi i programeve studimore të UNT-së u zhvillua në shkollën fillore të fshatit Mexhitli të Manastirit.
Në këtë tubim, përveç maturantëve kishin ardhur edhe prindërit e tyre, mësues dhe qytetarë. Fillimisht për programet e pesë fakulteteve të UNT foli prof.dr. Mustafa Ibrahimi, duke asistuar edhe doktoranti Murat Aliu.
Të pranishmit u informuan në detaje me të gjitha programet studimore dhe kushtet e regjistrimit. Duke i ditur brengat dhe problemet, prof.Ibrahimi potencoi se studimet në Shkup, saktësisht në UNT-ja, në një farë mënyre mund të ndihmojnë në stopimin e shpërnguljeve.
Programet studimore që ofrohen ndihmojnë punësime të shpejta, sidomos edhe kuadër për hapjen e një shkolle të mesme me mësim në gjuhën shqipe edhe në Manastir. UNT-ja ofron programe të shkëlqyeshme për punësim të shpejtë, si dhe kushte për ngritjen akademike dhe intelektuale të çdo studenti që do të vijë të studiojë në Shkup.
E dimë se kushtet janë të vështira, por arsimimi dhe investimi për fëmijët tuaja, ngelet alternativa dhe imperativi i vetëm për të ardhmen e kësaj ane, theksoi në fund prof.Ibrahimi.
Të pranishmit u interesuan për shumë çështje lidhur me kushtet për regjistrim dhe programet studimore, duke parashtruar pyetje dhe duke marrë përgjigje adekuate nga profesorët.