Programi studimor Media dhe Komunikim Ndërkulturor pranë Fakultetit të Shkencave Sociale të Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup, nën drejtim të udhëheqësit të këtij programi Prof. Dr. Agron Kurtishi, organizoi sot Panel diskutimi, përmes të cilit shënoi 3 Majin – Ditën Ndërkombëtare të Lirisë së Shprehjes.

Paneli, ku pjesëmarrës ishin folës të shquar duke përfshirë gazetarë dhe profesionistë të medias si Naser Selmani, gazetar dhe ish kryetar i Shoqatës së gazetarëve të Maqedonisë në dy mandate, Evis Halili Memedalija, gazetare dhe zëvendës kryeredaktore e gazetës së pavaruar Koha dhe Naim Vrenezi, Udhëheqës i Zyrës për komunikim me publikun në UNT, trajtoi tema kritike të mbrojtjes së gazetarëve dhe lirisë së medias në këtë moment të rëndësishëm për të ardhmen e Maqedonisë së Veriut në rrugën kah Bashkimi Evropian.

Tema e ditës ishte “Mbrojtja e gazetarëve dhe lirisë së mediave – sfida e Maqedonisë Veriore drejt BE-së”, në të cilën Naser Selmani foli për sigurinë e gazetarëve në vend gjatë kryerjes së detyrave të tyre, ku përmendi se gjatë 5 viteve të kaluara 60 gazetarë kanë qenë cak i sulmeve të ndryshme, ndërsa edhe pse të gjitha rastet janë paraqitur ne organet kompetente, vetëm 3 nga 60, kanë epilog gjyqësor. Selmani akuzoi gjyqësinë e pareformuar si shkaktar mes tjerash, të ngulfatjes së lirisë së shprehjes, për shkak të mosndëshkimit të autorëve të këtyre sulmeve, shumica e të cilëve vijnë nga radhët e policisë.

Evis Halili Memedalija në paraqitjen e saj foli për median e lirë si katalizator për një qeverisje të mirë, transparente dhe llogaridhënie politike, duke theksuar rolin e gazetarisë investigative në korrigjimin e politikave regressive qeveritare, me çrast theksoi ndikimin që kishte media në eliminimin e politikave diskriminuese, siç ishte anulimi i Enciklopedisë fyese, që botoi ASHAM-I.

Zëdhënësi I UNT-së Naim Vrenezi, gazetar me përvojë 10 vjeçare në më shumë media në vend, foli për Lirinë e shprehjes si shtyllë e rëndësishme e demokracisë dhe një element thelbësor për një të ardhme të qëndrueshme.

 Ai duke bërë analyze të zhvillimit të mediave në vend tha se  Maqedonia, nga themelimi si pjesë e federatës jugosllave në vitin 1945 deri në vitin 1991, nuk njihte lirinë e shprehjes tek qytetarët e saj, dhe si një etnitet në përbërje të një shteti federativ totalitar, përdorte, apo thënë më mirë keqpërdorte mediat për qëllime politike, që kryesisht kishin të bënin me promovimin e politikave qeveritare, dhe rrezikonte liritë e shprehjes, të besimit, të shkollimit, dhe si një republikë multietnike ushtronte represion ndaj gjithkujt që shprehte mendim ndryshe, dhe sidomos ndaj shqiptarëve që kishin kulturë, gjuhë dhe besim ndryshe nga populli shumicë. Kjo nuk raportohej nëpër media, por fshihej dhe censurohej nga publiku vendas dhe ai ndërkombëtarë. Pasi viteve 90-ta filloi etablimi i mediave të lira, të cilat ndryshuan mentalitetin e qytetarëve nga një mendim kolektiv në një vështrim individual të situatave.

Në panel u zhvillua një debat ku profesorë dhe studentë nga UNT parashtruan pyetje rreth lirisë së shprehjes dhe punës së mediave në vend. Për dallim nga viti 2016, kur Maqedonia në listën e Freedom House bënte pjesë në grupin e vendeve pa liri të shprehjes, këtë vit Maqedonia gjendet mes vendeve me liri të kufizuar të shprehjes, që në vete nënkupton ndezje të alarmit për përmirësimin e këtij fenomeni negativ në vend.

By