Shkup, 14.05.2019 Studentët e Universitetit ‘Nënë Tereza’ në Shkup, Programi studimor Studime Evropiane, në kuadër të muajit evropian, organizuan “Simulim të Samitit të 20 dhe 21 qershorit 2019, të Këshillit Europian”, me ç’ rast pas diskutimit mbi progresin e Republikës së Maqedonisë së Veriut në përmbushjen e Kritereve të Kopenhagës, i‘dhanë’ datë për fillimin e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian. Qëllimi kryesor i dhënies së datës, sipas studentëve, ishte parandalimi i ikjes së të rinjve nga vendi.
Në simulimin e mbledhjes së KE-së, në tyezën e rrumbullakët një student përfaqësonte një shtet anëtar, ndërsa në tavolinën kryesore u simulua presidenti i Këshillit Evropian Donald Tusk, ai i Komisionit Evropian Zhan Klod Junker dhe përfaqësuesi i Rumanisë, e cila ka presidencën e BE-së, ndërsa vendimin e tyre e priste Zëvendëskryeminstri për çështje evropiane, Bujar Osmani, i cili u përgjigj pozitivisht ftesës së studentëve të UNT-së, që të merr pjesë në këtë simulim.
Osmani raportoi se Maqedonia e Veriut i ka kryer të gjitha obligimet që i janë dhënë, dhe se meriton date për fillimin e negociatave për anëtarësim, ndërsa pas raportimit të tij ai iu përgjigj të gjitha pyetjeve të ‘shteteve anëtare’, të cilat kishin të bëjnë me gjendjen në vend.
‘Jam i bindur se këtë vit vendi do të hyjë në fazën e dytë pas njëzet viteve të përpjekjeve dhe do të fillojë negociatat e pranimit me Bashkimin Evropian. Asnjë vërejtje për punën e Maqedonisë së Veriut në lidhje me përmbushjen e kritereve nuk mund të gjendet’, tha zëvendës kryeministri Osmani, gjatë simulimit të takimit të Këshillit Evropian të organizuar nga studentët e Universitetit Nënë Tereza në Shkup.
Pyetja kryesore që parashtruan studentët në simulimin e mbledhjes ishte, se si Maqedonia e Veriut do të vepron për parandalimin e ikjes së të rinjve nga vendi, duke theksuar se ‘S’ka Maqedoni pa rini’.
Gjatë këtij eventi të UNT-së, Osmani prezantoi projektin “Me njohuri evropiane, deri në kryeqytetin evropian”, një konkurs për studentët e shkencave sociale të universiteteve publike, të cilët duke marrë pjesë në përgatitjen e eseve, do të kenë mundësi për të treguar njohuritë e tyre evropiane, ndërsa 12 studentët më të mire do të kenë mundësinë të ndiejnë atmosferën në Bruksel nëpërmjet një vizite studimore tre-ditore në kryeqytetin evropian, ku ata do të kenë mundësinë të vizitojnë institucionet kryesore të BE-së, si dhe të njihen me mënyrën se si ata punojnë.