Katër pedagoge të Universitetit ‘Nënë Tereza’ në Shkup prezantuan rezultatet e një studimi analitik dedikuar shkollave fillore të Komunës së Çairit.
Studimi gjashtëmujor hulumtues për shkollat fillore të Çairit u realizua nga stafi akademik i profesoreshave të Universitetit “Nënë Tereza”, Prof. Diturije Ismaili, Prof. Kaltrina Zekolli Shaqiri, Prof. Elisabeta Bajrami Ollogu dhe Prof. Arta Xhelili, ndërsa të njejtin e prezantuan para mësimdhënësve të Çairit, përfaqësuesve të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, Departamentit të arsimit në Komunën e Çairit si dhe veprimtarëve të arsimit dhe studentë.
Studimi kishte për qëllim dhënien e kontributit për avansimin e nivelit të cilësisë së procesit arsimor, në përgjithësi duke analizuar punën e shkollave fillore në komunën e Çairit, dhe sfidat me të cilat përcillet ky proces.
Studimi vie në pah nevojat e mësimdhënësve duke analizuar një nga variablat më dinamikë që e shoqëron punën e tyre në shkolla.
Gjetjet e këtij studimi janë rezultat i një pune gjashtë mujore ku janë shkëmbyer përvoja me shumë aktorë, për ti përkthyer më pas gjetjet në rekomandime konkrete.
Studimi planifikohet të ketë edhe fazën e dytë, në projekt zhvillimor. Studimi i realizuar nga kuadri akademik i UNT-së u mbështet nga kryetari i Komunës së Çairit, Visar Ganiu, i cili gjatë prezantimit tha se ky shqyrtim objektiv i gjendjes aktuale është mënyra më efikase e targetimit të sfidave dhe mekanizmave vepruese për ngritjen e cilësisë së arsimit vendor.
Ganiu, shtoi se Komuna e Çairit e çmon lartë këtë kontribut akademik që padyshim se do ta ketë në konsideratë në strategjinë e saj për përmirësimin e nivelit të cilësisë së procesit arsimor.