Floriana Murtezi është studente e vitit të dytë në Universitetin ‘Nënë Tereza’ në Shkup. Pas mbarimit me sukses të dy semestrave të parë, ajo aplikoi në Programin Erasmus Plus, me dëshirë që semestrin e III të ndjek në Universitetin ‘Sabahattin Zaim’ në Stamboll të Turqisë. Ajo fitoi bursën dhe këto janë përshtypjet e saj nga Stambolli:
‘Sigurisht se çdo student ka dëshirë që, aftësitë e t’ij apo të saj ti promovojë në çdo vend të botës dhe njëkohësisht të përfitojë edhe eksperienca të ndryshme nga studentë dhe në universitete të ndryshme evropiane e më gjerë.
Unë, Floriana Murtezi, studente në Universitetin “Nënë Tereza”, fillimisht ndihem krenare që jam pjesë e këtij Universiteti, e veçanërisht që jam ndër gjeneratat e para të këtij institucioni të ri në vendin tonë, Republikën e Maqedonisë së Veriut.
Pavarësisht, diturive që kam fituar gjatë dy semestrave të kaluar në UNT, ku padyshim jam më se e kënaqur si shumë kolegë të mi student nga leksionet e profesorëve, gjegjësisht stafit akademik të UNT-së, dëshira për të përjetuar e përfituar eksperienca të reja në vende tjera të botës nuk mbaron.
E, një eksperiencë të tillë, kisha rastin ta përjetoj përmes Programit Erasmus +. Në fillim nuk kisha shumë njohuri rreth funksionimit të këtij Programi, kushtet, mënyrat etj. Por, pas interesimit tim, dhe gatishmërisë së koordinatorëve të Erasmus+ në UNT, arrita që të njoftohem nga afër me kushtet dhe përparësitë që ofron ky program.
Pastaj, pas kryerjes së të gjitha procedurave administrative, fitova bursën studimore që semestrin e III të ndjek në Universitetin “Sabahattin Zaim” në Stamboll të Turqisë. Në Universitetin “Sabahattin Zaim” në Stamboll, duke u bazuar në historinë e pasur dhe kuadrin akademik, nuk kisha dyshim se njohuritë e mia do të plotësoheshin edhe më shumë.
Vlen të theksoj, se gjatë qëndrimit tim në Turqi, kisha mundësinë të njoh edhe kultura të ndryshme nga kolegët e mi të etniteteve dhe vendeve të ndryshme botërore, njëherit edhe atë i njoftova gjatë prezantimeve të ta, diskutimeve me ta, për kulturën e vendit tim, kulturës tonë, për universitetin tonë etj.
Sigurisht se kjo eksperiencë do të zë vend të posaçëm dhe do ta plotësojë shumë rrugëtimin tim si në sferën akademike studentore e më gjerë. Uroj që Programi Erasmus+ të vazhdojë edhe më tej misionin e tij, dhe një eksperiencë të tillë ta përjetojnë edhe shumë kolegë të mi’.
Floriana Murtezi-Stamboll