Shkup, 23.12.2019 Rektori i Universitetit ‘Nënë Tereza’ në Shkup, Prof. Dr. Aziz Pollozhani, i shoqëruar nga prorektori Prof. Dr. Rizvan Sulejmani dhe Kryetari i Senatit të UNT-së Prof. Dr. Blerim Saiti, pritën në një takim pune Ambasadorin e Republikës së Kosovës në Shkup, Shkëlqësinë e Tij, Z. Gjergj Deda.
Temë boshte e takimit ishte thellimi i bashkëpunimit mes Universitetit ‘Nënë Tereza’ në Shkup dhe universiteteve shtetërore në Kosovë, shkëmbimi i përvojave dhe i stafit akademik, dhe sidomos studentëve në dy anët e kufirit, përmes projekteve të ndryshme bashkëpunuese si dhe bashkëpunim në të gjitha sferat mes institucioneve të arsimit të lartë.
Pollozhani informoi ambasadorin Deda se Universiteti ‘Nënë Tereza’ ka vendosur tashmë raporte bashkëpunimi me shumë Universitete në Republikën e Kosovës, por se siç u shpreh, çdo iniciativë e re, pasuron marrëdhëniet e ngushta mes pedagogëve, studentëve dhe në përgjithësi mes universiteteve.
Ambasadori i Republikës së Kosovës në Shkup, Shkëlqësia e Tij, Z. Gjergj Deda u zotua se do të kontriboj në drejtim të përforcimit të lidhjeve dhe bashkëpunimit të universiteteve kosovare me Universitetin ‘Nënë Tereza’ në Shkup.