Lajm i shumëpritur për UNT-në
Shkup, 03.09.2021 Fillim i procedurave për realizimin e Kampusit universitar të UNT-së ishte temë kryesore e takimit të rektorit të Universitetit ‘Nënë Tereza’ në Shkup Prof. Dr. Azis Pollozhani me zëvendësministrin për Transport dhe Lidhje z.Bekim Rexhepi.
Në takimin e punës që u zhvillua në Rektoratin e UNT-së, zëvendësministri Rexhepi i konfirmoi rektorit Pollozhani, aprovimin e Pëlqimit nga Ministria për Transport dhe Lidhje që hap rrugën për realizimin të kampusit universitar të UNT-së.
Ky pëlqim është lajm i shumëpritur për studentët dhe pedagogët e UNT-së, pasi, menjëherë pas miratimit të tij nga ana e komunave të Çairit dhe Karposhit, fillohet me procedurën e paraparë për realizimin konkret të kampusit univeritar.
Universiteti ‘Nënë Tereza’ në Shkup, shpreh falënderim për Ministrinë për Transport dhe Lidhje, dhe veçanërisht zëvendësministrin Bekim Rexhepi për kontributin e përditshëm për marrjen e këtij pëlqimi.
UNT falënderon Agjencinë për planifikimin hapësinor dhe sektorët e urbanizmit pranë komunave Çair dhe Karposh, me të cilat Universiteti ‘Nënë Tereza’ në Shkup kishte bashkëpunim frytdhënës për rrumbullaksimin e dokumentacionit për Regullimin përkatës hapësinor dhe Planin detal urbanistik të truallit dedikuar Kampusit universitar.