𝐏𝐚𝐥𝐞𝐫𝐦𝐨, 𝟎𝟕.𝟏𝟏.𝟐𝟎𝟐𝟏Gjatë vizitës së katundeve arbëreshe të Palermos në Sicili, delegacioni i UNT-së udhëhequr nga kryetari i Senatit Prof. DR. Mustafa Ibrahimi, prorektorët prof.dr. Rizvan Sulejmani dhe prof.dr. Bedri Ademi, këshilltari i rektorit dr. Bardhyl Tushi, realizoi takim me presidentin e Shqipërisë Ilir Metën, i cili po ashtu qëndronte për vizitë disaditëshe zyrtare në katundet arbëreshe.
Gjatë këtyre takimeve në Hora e Arbëreshëve (Piana Degli Albanese) dhe Kuntisa (Contessa Entellina), që ishin të rastësishme dhe përkonin me agjendën tonë, shkëmbyem mendime dhe ide të ndryshme për gjuhën dhe kulturën arbëreshe, si dhe gjetjen e rrugëve për bashkëpunim ndëruniversitare, si dhe përkrahje institucionale për projekte të përbashkëta.
Sa u përket arbëreshëve, Presidenti Ilir Meta, theksoi se: “duhet përkushtim nga të gjitha autoritetet e të dy vendeve tona për mbrojtjen e këtyre vlerave, në veçanti për të forcuar lidhjen e të rinjve me rrënjët e tyre kombëtare, si një mundësi për të ndalur shpopullimin, një fenomen tragjik që ka prekur shoqëritë dhe të dyja vendet tona”.
Më tutje theksoi se, “në takimin me Presidentin e Rajonit të Siçilisë, z.Nello Musumeci, është propozuar që Sicilia të bëhet Rajoni i parë në Itali, që mund të miratojë një ligj të posaçëm për mbrojtjen e pakicave gjuhësore krahinore, sipas modelit të ndjekur me Rajonin e Puljas, që është prit me kënaqësi nga pala tjetër”.
Gjithashtu gjatë takimit midis tjerash diskutuam se katundet arbëreshe të Sicilisë dhe Kalabrisë janë vatra të rëndësishme të dashurisë për identitetin kombëtar, ku mbahen të gjalla figura e Gjergj Kastrioti Skënderbeut, kultura, gjuha, veshjet tradicionale dhe zakonet arbëreshe, që trashëgohen brez pas brezi.
Kjo pasuri e çmuar e trashëgimisë evropiane e botërore, duhet të jetë urë e rëndësishme lidhëse e marrëdhënieve tradicionalisht të shkëlqyera mes Shqipërisë dhe Italisë, merriton të bëhet pjesë e UNESCO-s. Në fund të takimit, presidentin Ilir Meta i bëmë ftesë të merr pjesë në shënimin e 5 vjetorit të themelimit të UNT-së në Shkup, që me kënaqësi e pranoi.

By