Shkup, 28.04.2022 Universiteti “Nënë Tereza” në Shkup sot ishte nikoqir i familjarëve, miqve dhe kolegëve artistë të piktorit të ndjerë Omer Kaleshi, të cilët u tubuan sot në Mbledhje komemorative të organizuar për nder të jetës dhe veprimtarisë se tij të madhe arstistike.
Rektori i UNT-së, Prof. dr. Izet Zeqiri në fjalën e mirëseardhjes për të pranishmit tha se piktori ynë me famë botërore, ka lënë një pasuri të madhe përmes veprës së tij, ndërsa universitetit një galeri të tërë prej 24 veprash tepër të çmuara që do të jenë trashëgimi për breza të tërë studentësh.
I pranishëm për nder të piktorit Omer Kaleshi ishte edhe kryegjyshi botëror bektashian Haxhi Dede Edmond Brahimaj i cili vlerësoi lartë kontributin e tij në artin pamor, dhe tha se kishte fatin të kishin Omer Kaleshin mes tyre në Tiranë përpara tri viteve, kur ai u bëri një dhuratë shumë të çmuar, duke u dhuruar një cikël pikturash të tij, me ç’ rast Galeria “Omer Kaleshi” e cila ka zënë vendin e merituar në mjediset e Odeonit dhe sot nga dhjetra dhe qindra vizitorë në ditë, duke plotësuar më së miri jo vetëm mozaikun e traditës sonë kulturore, por edhe identitetin e tarikatit bektashian.
Fajlim emotiv kishte mbesa e tij Suzana Memedi e cila ndau me të pranishmit copëza nga jeta në familje e piktorit Omer Kaleshi, dhe brengën e përhershme të tij se ku ti dhurojë piktuarat e tij, që të mirëmbahen dhe të jenë në shërbim të gjeneratave të reja.
Ambasadori shqiptar në Paris Luan Rama, një ndjekës i veprimtarisë së tij për 30 vite dhe mik i piktorit Kaleshi tha se me shuarjen e piktorit tonë të madh ka humbur arti shqiptar dhe ai botëror në tërësi.
Mbi krijimtarinë artistike u paraqit piktori dhe profesori universitar Reshat Ameti i cili e cilësoi vdekjen e Omer Kaleshit për kulturën elitare shqiptare, sepse sipas tij Kaleshi ishte pjesë e artistëve elitar botërorë, dhe krahasoi atë me Leonardo Da Vinçin dhe artistë tjerë që janë ikona të artit botërorë.
Piktori Omer Kaleshi lindI në fshatin Serbicë të Kërçovës në vitin 1932, ndërsa ndëroi jetë më 17 prill 2022. Sipas dëshirës së tij u varros në Stamboll pranë varrit të babait. Pjesë e trashëgimisë kulturore të tij janë galeritë me emrin e tij në UNT, Universitetin Iliria në Prishtinë, Galeria Kombëtare e Maqedonisë, Galeritë në Bursa të Turqisë dhe në Tiranë.