Ohër, Qershor 2022 – Rektori i Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup Prof. Dr. Izet Zeqiri mori pjesë në Shkollën e të “Drejtës Natyrore” në Ohër me temë: “Mbajtja e një shoqërie demokratike duke forcuar institucionet e saj”, ku morrën pjesë Ambasadorja e ShBA-ve në Shkup, Kate Marie Byrnes, Ministri i Drejtësisë Nikolla Tupançeski, anëtarë të Akademisë së Shkencave dhe Arteve, studentë dhe përfaqësues nga OJQ-të.
Rektori Zeqiri para të pranishmëve theksoi se potenciali demografik në Maqedoninë e Veriut si faktor i zhvillimit ekonomik të vendit, është një nga faktorët më të rëndësishëm në zhvillimin socio-ekonomik. Popullsia, tha Zeqiri, ka një rëndësi të madhe për vëllimin, strukturën dhe zhvillimin jo vetëm të prodhimit, por edhe të veprimtarisë së përgjithshme socio-ekonomike në një vend, pasi që, një pjesë e popullsisë është funksioni i prodhimit, ndërsa popullsia totale është funksioni i konsumit.
Rektori Zeqiri tha se tendencat aktuale negative demografike me të cilat po përballet vendi manifestohen negativisht në rritjen natyrore të popullsisë, rënien e numrit të fëmijëve të lindur, intensifikimin e procesit të plakjes demografike, shkaqe këto që ndikojnë në rritjen e pjesëmarrjes së të moshuarve në totalin e popullsisë si dhe rritjen e emigracionit jashtë vendit.