Shkup, 23.03.2023 – Universiteti “Nënë Tereza“ në Shkup dhe Universiteti për Shkenca Informative dhe Teknologji “Shën Apostul Pali” nënshkruan sot Memorandum të Mirëkuptimit për të krijuar dhe mbështetur bashkëpunimin dypalësh ndërmjet dy institucioneve.
Në takimin ku rektori i UNT-së, Prof.dr. Izet Zeqiri ishte i shoqëruar nga prorektorët Prof.dr. Bekim Fetaji dhe Prof.dr. Fati Iseni si dhe dekani i Fakultetit të Shkencave Informatike Prof.dr. Stojan Kitanov u tha se qëllimi i këtij memorandumi është zhvillimi i bashkëpunimit akademik dhe arsimor, themelimin e programeve të bashkëpunimit në fusha të ndryshme midis dy universiteteve dhe bashkëpunimin në interesin e tyre të përbashkët për një sërë aktivitetesh të arsimit të lartë.
Dy institucionet e arsimit të lartë do të bashkëpunojnë në fushat me interes të përbashkët, si dhe në tema të orientuara drejt arsimit dhe kërkimit shkencor, dy institucionet e arsimit të lartë do të promovojnë kontaktin dhe bashkëpunimin e drejtpërdrejtë ndërmjet stafit akademik, departamenteve të fakulteteve, institucioneve kërkimore dhe studentëve.
Në memorandumin që e nënshkruan rektori i UNT-së, Prof. Dr. Izet Zeqiri dhe rektori i Universitetit “Shën Apostul Pali” Prof.dr. Ivan Bimbilovski, përfshihet bashkëpunim në shkëmbimin e personelit akademik,shkëmbimin e studentëve, aktivitete të përbashkëta arsimore dhe kërkimore përmes projekteve ndërkombëtare, simpoziumeve, konferencave dhe aktiviteteve të tjera shkencore.
Dy universitetet do të krijojnë programe të përbashkëta të niveleve akademike në bachelor, master dhe doktoraturë, njohjen e drejtpërdrejtë të diplomave, shkëmbimin e materialeve të publikuara akademike dhe aksesi në bazat e të dhënave të bibliotekave dixhitale.
UNT që nga themelimi ka nënshkruar dhe bashkëpunon me afro 70 institucione të arsimit të lartë nga vendi, rajoni dhe Europa.