𝐒𝐡𝐤𝐮𝐩, 𝟐𝟒.𝟎𝟒.𝟐𝟎𝟐𝟑 Universiteti ‘Nënë Tereza’ në Shkup në kuadër të projektit “Jean Monnet EUFutur” organizoi ligjeratë të hapur rajonale me temë: “Fillimi i negociatave për anëtarësim të Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian” ku ligjeruese ishte znj. Drita Abdiu –Halili, Sekretare shtetërore në Sekretariatin për Çështje Evropiane.
Në ligjeratën e hapur rajonale, që u zhvillua në hapësirat e UNT-së, online morrën pjesë edhe studentë të universiteteve nga Kosova dhe Shqipëria, Bosnjë dhe Hercegovinë si dhe nga Mali i Zi. Abdiu – Halili informoi studentët e UNT-së dhe vendeve të rajonit lidhur me procesin e bisedimeve për anëtarësim në Unionin Evropian, që për Republikën e Maqedonisë së Veriut do të thotë përmbyllje e procesit dhe aftësim i tërësishëm i institucioneve të RMV-së për funksionim efektiv sipas modelit të funksionimit të Institucioneve të Unionit.
Bisedimet, tha Sekretarja shtetërore në Sekretariatin për Çështje Evropiane janë projekt i një game të madhe, që zhvillohen me një dinamikë të shpejtë, kërkojnë një përgatitje të tërësishme të të gjithë segmenteve të organeve, institucioneve dhe strukturave shtetërore, në dispozicion që të realizojnë një koordinim sa më efektiv që do të çonte drejtë një realizimi më efektiv dhe të suksesshëm të negociatave para fillimit të të njëjtave.
Drita Abdiu-Halili tha se për çdo vend kandidat, themelohet një e ashtuquajtur Konferencë ndërqeveritare, që realizohet nëpërmjet të një vendimi të Këshillit të Unionit Evropian, në të cilën janë të definuara detajet që janë të lidhura me organizimin, vendin e mbajtjes, formimin e sekretariatit, mbulimin e shpenzimeve për takimet e nevojshme si dhe frekuencën dhe nivelin e mbajtjes së të njëjtëve.Pjesa më e madhe dhe më e vështirë e punës, sipas saj është akordimi gjegjësisht përgatitja e pozicioneve të negociatorëve, që realizohet në nivel të grupeve punuese e që në fakt paraqet aktivitet pune ndërmjet grupeve të zgjeruara të punës nga Këshilli i UE dhe grupeve punuese nga vendi-kandidat që përgatitet për bisedime në sfera të caktuara dhe që kanë të bëjnë me hyrjen e vendit në Unionin Evropian.
Koordinatoret e projektit, dekanja e Fakultetit të Shkencave Sociale të UNT-së, Prof.Inor.dr. Diturije Ismaili dhe Prof.dr. Drenusha Kamberi thanë se projekti synon të promovojë qytetarinë dhe vlerat aktive të BE-së midis grupeve të ndryshme të popullsisë në të gjitha vendet e përfshira në Ballkan, ndërsa zëvendës shefen e negociatave me BE-në Drita Abdiu Halili, autoriteti më relevant në vend që është përgjegjës për procesin e anëtarësimit në BE.
Dekanja Diturije Ismaili falënderoi Sekretaren shtetërore në Sekretariatin për Çështje Evropiane Drita Abdiu – Halili për ligjeratën, ndërsa në emër të rektorit të UNT-së, Prof.dr. Izet Zeqiri i ndau mirënjohje.