Rektori i Universitetit ‘Nënë Tereza’ në Shkup Prof.dr. Izet Zeqiri i shoqëruar nga sekretarja e përgjithshme Mukades Hajdari realizoi takim pune me Komisionin e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, i caktuar për krijimin e tre fakulteteve të reja, të cilat nga viti i ardhshëm akademik do të funksionojnë në kuadër të UNT-së.

Në takim u diskutuan të gjitha detajet e organizimit të punës brenda këtyre njësive, që përfshijnë nëntë programe të reja.

Më 27 korrik 2022, Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut me shumicë votash miratoi hapjen e tre fakulteteve të reja në UNT, dhe atë Fakultetin Ekonomik në kuadër të të cilit do të jenë programet studimore Financa dhe kontabilitet, Marketing dhe menaxhment, Doganë, shpedicion dhe sigurime, Fakultetin Juridik me Studime të drejtësisë dhe  Kriminalistikë si dhe Fakultetin e  Shkencave Humane që do të ketë programet studimore Gjuhë dhe letërsi angleze, Gjuhë dhe letërsi gjermane, Përkthim Shqip, Maqedonisht në Anglisht dhe anasjelltas, Përkthim Shqip, Maqedonisht në Gjermanisht dhe anasjelltas.

Me hapjen e fakulteteve të reja UNT pasuron ofertën akademike për studentët e rinj, në tetë fakultetet e tij:

– Fakulteti i Ndërtimtarisë dhe Arkitekturës;

– Fakulteti i Shkencave Informatike;

– Fakulteti i Shkencave Teknike;

– Fakulteti i Shkencave Teknologjike;

– Fakulteti i Shkencave Sociale;

– Fakulteti Juridik;

– Fakulteti Ekonomik;

– Fakulteti i Shkencave Humane.

Delegacioni i MASH-it, javën e kaluar vizitoi edhe objektet e reja të UNT-së, të cilat po marrin formë çdo ditë e më shumë.

By