UNT thellon bashkëpunimin me komunitetin e biznesit

𝐒𝐡𝐤𝐮𝐩, 𝟎𝟑.𝟎𝟓.𝟐𝟎𝟐𝟑 Me ftesë të rektorit të UNT-së, Prof.dr. Izet Zeqiri sot mysafir i UNT-së ishte pronari i kompanisë së njohur Alma-M nga Shkupi, Muarem Murtezani i cili me kënaqësi pranoi ftesën për të zhvilluar ligjeratë motivuese para studentëve të ekonomisë.

Murtezani para studentëve të shumtë tha se çdo suksese fillon me një endërr, e cila duhet të realizohet me shumë punë dhe dëshirë për sukses. Ai tha se kompania Alma M është themeluar më 1991, si biznes i vogël familjar, që me punë intensive dhe me disciplinë është shndërruar në një veprimtari të distribuimit të mallrave për konsum të gjerë.

Sot, Alma-M ka qindra të punësuar, depo të shumta ultra moderne me mbi 5000 metra katror dhe hapësira për administratën prej mbi 2000 metra katror. Shumë herë është shpallur kompani e vitit nga Odat ekonomike, ndërsa vazhdimisht është në top listën e firmave të suksesshme në vend.

Rektori i UNT-së, Prof. Dr. Izet Zeqiri tha se UNT bashkëpunon me partnerët e saj gjatë gjithë vitit akademik, ndërsa programet studimore i dizajnon sipas nevojave dhe kërkesës të tregut të punës, duke shtuar se ‘Universiteti ‘Nënë Tereza’ në Shkup degët studimore i ka të gjitha deficitare për tregun e punës, ndërsa studentët dhe sidomos absolventët pregatiten për sektorin real që në studimet e viteve të para.

UNT, tha Zeqiri ka krijuar Këshillin e miqve ku bëjnë pjesë shumë kompani të suksesshme në vend dhe ndërmjetëson në vendosjen e kontakteve mes punëdhënësve dhe punonjësve potencial, sidomos gjatë mbajtjes së Ditëve të karrierës.

Studentët e pranishëm parashtruan pyetje të shumta që kishin të bëjnë me mënyrat se si hapet dhe zhvillohet një biznes privat në vend, problemet me të cilat ballafaqohen biznesmenët si dhe si të arrihet deri te finansimi i një biznesi fillestar. Muaremi përveç përgjigjeve u ofroi studentëve që të dërgojnë CV-të e tyre në zyrat për regrutim të kompanisë së tij.

By