Në kuadër të Festave të Nëntorit, Fakulteti i Shkencave Humane nga Universiteti “Nënë Tereza” në Shkup është pjesë organizative Konferencës Shkencore Ndërkombëtare me temë: “Zhvillimi i arsimit kombëtar dhe gjuha shqipe”, e cila do të mbahet në datën: 18-19 nëntor 2024, në qytetin e Alfabetit në Manastir.
Konferenca realizohet në bashkëpunim me:
- Muzeun e Alfabetit në Manastir,
- Akademinë e Shkencave e Republikës së Shqipërisë,
- Qendrën për Kërkime të Avancuara, Shkup, Maqedoni e Veriut,
- Universitetin “Aleksandër Xhuvani”, Elbasan, Shqipëri,
- Universitetin “Fan S. Noli”, Korçë, Shqipëri,
- Universitetin “Aleksandër Moisiu”, Durrës, Shqipëri,
- Agjencinë për Zbatimin e Gjuhës, Shkup, Maqedoni e Veriut,
Ky aktivitet shkencor synon të bëjë bashkë studiues, akademikë, pedagogë, studentë, nga trevat shqipfolëse ku fushat e referimit, përpos të tjerave janë:
- Historia e arsimit shqip,
- Institucionet e para të arsimit në trevat shqipfolëse,
- Gjuha shqipe dhe etapat e përshkuara deri në standardizim,
- Sfidat me të cilat përballet sot gjuha shqipe,
- Kushtet e dygjuhësisë në vende ku shqipja është gjuhë zyrtare (të tilla si Republika e Maqedonisë së Veriut),
- Figurat e shquara dhe kontributi i tyre në formësimin e gjuhës dhe arsimit shqip,
- Ngjarjet kryesore që kanë shënjuar zhvillimin e arsimit kombëtar.