Manastir, 18-19 nëntor 2024 – Në qytetin e Manastirit, dy ditë me radhë u zhvilluan punimet e Konferencës Shkencore Ndërkombëtare “Zhvillimi i arsimit shqiptar dhe gjuha shqipe”. Në këtë konferencë morën pjesë rreth njëqind pjesëmarrës nga disa universitetete dhe institute shqiptare të Maqedonisë së Veriut, Kosovës dhe Shqipërisë, midis tyre me kumtesat e tyre u prezentuan edhe profesorët e Universitetit “Nënë Tereza” nga Shkupi.

Konferenca mblodhi studiues, profesorë dhe ekspertë nga institucione të ndryshme akademike, me qëllimin për të ndarë ide dhe për të trajtuar çështje që lidhen me edukimin kombëtar dhe promovimin e gjuhës shqipe. Kontributi i profesorëve të UNT-së në diskutimet shkencore ishte një dëshmi e përkushtimit të tyre për zhvillimin e mëtejshëm të arsimit dhe kulturës shqiptare. Ngjarja u zhvillua në një atmosferë që nderonte traditën e pasur kulturore dhe historike të Manastirit, duke theksuar rëndësinë e këtij qyteti në historinë e gjuhës shqipe.

Në pjesën solemne me fjalë përshëndetëse u paraqitën: Zait Aliu, Drejtor i Muzeut të Alfabetit të Manastirit; Prof. dr. Elvira Fetahu, rektore e Universitetit të Elbasanit “Aleksandër Xhuvani”, Prof. dr. Mustafa Ibrahimi, dekan, në Fakultetin e Shkencave Humane nga UNT Shkup, PhD (c) Dorina Daiu, Instituti i Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit, Tiranë dhe Prof. Naim Berisha, drejtor i Institutit Albanologjik të Prishtinës, të cilët nga organizatorët u dekoruan me plaketë ku ishte gravuar në mënyrë stilistike shtëpia ku u mbajt Kongresi i Alfabetit në Manastir.

Në seanca të veçanta, me kumtesa të tyre u praqitën edhe profesorët e Universitetit “Nënë Tereza”në Shkup:

– Prof. dr. Mustafa Ibrahimi, Fati i arbëreshëve të Italisë dhe kontributi i tyre për Kongresin e Alfabetit;

– Dr. Arta Tika Bekteshi & Teuta Agaj Avdiu (Universiteti i Gjilanit): Polariteti i përemrave të pacaktuar të shqipes;

– Prof.Inor.dr. Avni Avdiu & Prof.Inor.dr. Agron Kurtishi & Prof. dr Sunaj Raimi, Gabimet më elementare drejtshkrimore në portalet shqipe gjatë periudhës shtator-tetor 2024;

– Prof. Dr. Izer Maksuti, Mbrojtja e gjuhës – rasti i shqipes brenda e jashtë vendit; Albulena Dehari, Shqipja e cenuar nga fjalët e huaja;

Dr. Drita Xhemaili, Kompetenca gjuhësore e brezit të tretë e emigrantëve shqiptarë në Gjermani;

– Dr. Rilind Mahmudi & Dr. Majlinda Ismaili-Mahmudi, Analizë krahasuese e sintagmës foljore në gjuhën shqipe dhe angleze.

Pjesëmarrja e UNT-së në këtë konferencë pasqyron angazhimin e universitetit për të promovuar dialogun shkencor dhe bashkëpunimin ndërakademik në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar.

By