Shkup, 16.04.2025 – Universiteti “Nënë Tereza” në Shkup ka nisur sot zyrtarisht fushatën e promovimit të ofertës akademike për vitin e ri akademik 2025/2026, duke vizituar shkollat e mesme në të gjithë territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut. Aktiviteti i parë u realizua në Qendrën Shkollore të Arsimit “Boro Petrushevski” në Shkup, ku maturantët u mirëpritën nga përfaqësuesit e universitetit.
Kjo shkollë e mesme, e cila ofron profile teknike në fusha të ndryshme, ishte nikoqire e delegacionit të UNT-së, të cilët prezantuan të gjitha tetë njësitë akademike të Universitetit, me theks të veçantë në programet teknike të Fakultetit të Shkencave Teknike, të cilat ngjallën interes të madh te nxënësit.
Delegacioni i UNT-së u udhëhoq nga dekani i Fakultetit të Shkencave Teknike, Prof. Inor. Dr. Neritan Turkeshi, ndërsa pjesëmarrës në promovim ishin edhe pedagogët: Zoran Gacovski, Urime Demiri Shaipi, Olivera Petrovska, Albina Muça, Zoran Trifunov, Musa Fejzullov, Monika Lutovska, Daniel Pavlovski dhe Jani Hristovski. Në prani të nxënësve maturantë dhe përfaqësuesve të rreth 40 ndërmarrjeve dhe institucioneve bashkëpunëtore, u theksua rëndësia e lidhjes së arsimit të lartë me tregun e punës dhe zhvillimin profesional të të rinjve.
Në shenjë mirënjohjeje dhe përforcimi të bashkëpunimit të ndërsjellë, Zëvendësdrejtori i shkollës, Dr. Zekirija Zekiri, ndau një certifikatë falënderimi për Universitetin “Nënë Tereza” në Shkup.