Shkup, Prill 2025 – Në vijim të fushatës informuese dhe promovuese në shkollat e mesme të vendit, Universiteti “Nënë Tereza” në Shkup kësaj rradhe realizoi një vizitë në Shkollën e Mesme të Mjekësisë “Pançe Karagjozov” në Shkup, ku maturantëve iu prezantua oferta akademike për vitin e ri akademik 2025/2026.
Ekipi promovues i UNT-së, i përbërë nga përfaqësues të stafit akademik: Bukurie Imeri Jusufi, Neritan Turkeshi, Argëtim Saliu, Vladimir Kitanovski, Hava Rexhep, Urime Demiri Shaipi, Mirlinda Ebibi informuan maturantët mbi mundësitë e shumta që ofron universiteti, duke përfshirë 8 fakultetet me programe të ndryshme studimore si dhe përparësitë e studimit që ofron UNT.
Gjatë bashkëbisedimit me nxënësit, u theksua rëndësia e arsimit të lartë si bazë për zhvillim profesional dhe personal. U prezantuan gjithashtu mundësitë për shkëmbime studentore përmes programit Erasmus+, përfitimet nga ambientet moderne të kampusit të ri universitar, si dhe mbështetja që ofrohet gjatë studimeve në formë bursash dhe trajnimesh praktike.
Maturantët e shkollës “Pançe Karagjozov” shfaqën interes të veçantë duke parashtruar pyetje konkrete për kushtet e regjistrimit dhe vijimin e studimeve.
Universiteti “Nënë Tereza” shpreh mirënjohje për drejtuesit dhe stafin e shkollës për bashkëpunimin dhe mirëpritjen, duke shprehur gatishmëri për thellimin e këtij bashkëpunimi edhe në të ardhmen.