Shkup, 13 Maj 2025 – Rektori i Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup, Prof.dr. Bekim Fetaji, mirëpriti në një takim pune një delegacion nga Norvegjia, përfaqësues të organizatës SMB Norway dhe Seed Forum Global. Delegacioni u kryesua nga z. Jorund H. Rytman, drejtor ekzekutiv i SMB Norway, dhe z. Steinar Hoel Korsmo, themelues dhe drejtor i Seed Forum Global, si dhe përfaqësuesi për Maqedoninë e Veriut, z. Islam Poliku.
Rektori Fetaji prezantoi zhvillimet akademike dhe ndërkombëtare të UNT-së, duke theksuar gatishmërinë për bashkëpunim me organizata ndërkombëtare që promovojnë inovacionin dhe sipërmarrjen.
SMB Norway përfaqëson mbi 5,500 biznese të vogla dhe të mesme në Norvegji dhe ofron mbështetje për anëtarët e saj përmes këshillave ligjore, sigurimeve, trajnimeve dhe rrjeteve profesionale. Ndërsa, Seed Forum Global, që nga viti 2002, ka zbatuar mbi 130 projekte në më shumë se 40 vende, duke ndihmuar startup-e dhe scale-ups përmes qendrave të inovacionit, rrjeteve të investitorëve dhe trajnimeve për sipërmarrësit e rinj.
Palët shprehën interes të ndërsjellë për të thelluar bashkëpunimin dhe për të nënshkruar një marrëveshje që do të nxisë përfshirjen e studentëve dhe stafit akademik në projekte ndërkombëtare dhe zhvillimin e kulturës së startup-eve në UNT.





