Shkup, tetor 2025 – Në ambientet e kabinetit të punës, Rektori i Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup, Prof. Dr. Bekim Fetaji, priti në një takim pune drejtorin e Klinikës Universitare për Sëmundje të Fëmijëve në Shkup, Dr. spec. Rexhep Memedi.
Rektori Fetaji e njoftoi për së afërmi drejtorin Memedi me zhvillimet më të fundit në UNT, duke theksuar konsolidimin e tij në aspektin akademik dhe shkencor, rritjen e kapaciteteve institucionale, si dhe interesimin e lartë të studentëve për t’u regjistruar në tre afatet e aplikimit për vitin akademik 2025/2026.
Ai potencoi se ky interesim dëshmon rritjen e besueshmërisë së UNT-së si institucion i arsimit të lartë dhe përpjekjet e pandërprera për të ofruar cilësi akademike, programe moderne dhe bashkëkohore që u përgjigjen kërkesave të tregut të punës.
Në ndërkohë, drejtori Memedi shprehu kënaqësinë për vizitën dhe uroi suksese të mëtutjeshme në misionin e UNT-së për avancimin e arsimit të lartë dhe formimin e gjeneratave të reja. Ai theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve arsimore dhe shëndetësore, me qëllim që studentët të kenë mundësi praktike dhe qasje më të afërt në përvojën profesionale.
Palët u dakorduan për mundësi konkrete bashkëpunimi në fusha me interes të ndërsjellë, duke përfshirë shkëmbimin e përvojave, mbështetjen në projektet e përbashkëta dhe krijimin e urave lidhëse ndërmjet arsimit dhe praktikës profesionale.
