Shkup, 20.11.2026 – Me ceremoninë solemne të hapjes të mbajtur sot në palestrën sportive të Gjimnazit “Zef Lush Marku” në Çair, filloi zyrtarisht Universiada Mbarëkombëtare – Çair 2026, e organizuar nga Universiteti “Nënë Tereza” në Shkup dhe Komuna e Çairit në kuadër të Festave të Nëntorit, me gara në futboll të vogël (meshkuj) dhe volejboll (femra). Ky manifestim sportiv e ndëruniversitar shënon njëherësh hapjen e ciklit të aktiviteteve jubilare me rastin e 10-vjetorit të nisjes me punë të UNT-së.
Në fjalën e tij përshëndetëse, rektori i Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup, Prof. Dr. Bekim Fetaji, u uroi mirëseardhje ekipeve universitare, delegacioneve dhe mysafirëve, duke vlerësuar përkushtimin e studentëve sportistë, frymën ekipore dhe bashkëpunimin ndëruniversitar. Ai rikujtoi se dhjetë vite përfaqësojnë një rrugëtim të rëndësishëm akademik e institucional, ndërsa hapja e agjendës jubilare me Universiadën Mbarëkombëtare në prag të Festave të Nëntorit u jep këtyre ditëve kuptim të veçantë përmes sportit, solidaritetit dhe miqësisë mes të rinjve nga universitete të ndryshme.
“Ky jubile nuk është vetëm një moment reflektimi mbi rrugëtimin tonë, por mbi të gjitha një zotim i ri për të ardhmen, me fokus në ngritjen e cilësisë së arsimit, avancimin e kërkimit shkencor, ndërkombëtarizimin dhe krijimin e mundësive të reja për studentët. Pikërisht për këtë arsye, vendosëm që këtë agjendë të gjerë akademike, shkencore, kulturore dhe sportive ta nisim me Universiadën Mbarëkombëtare – Çair 2026”, u shpreh rektori Prof. Dr. Bekim Fetaji.
Në ceremoninë e hapjes folën edhe përfaqësuesit institucionalë dhe organizativë sipas agjendës zyrtare, ku dekani i Fakultetit të Shkencave Sociale pranë UNT-së, Prof. Dr. Bejtulla Emini, dhe kryetari i Komunës së Çairit, z. Izet Mexhiti, theksuan rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional, mbështetjen për rininë akademike dhe vlerat e sportit universitar në kuadër të Festave të Nëntorit. Në programin e ceremonisë u adresuan gjithashtu drejtuesit e federatave të sportit universitar, Prof. Dr. Musa Selimi dhe Prof. Dr. Besnik Veliu, u zhvillua programi artistik e kulturor dhe u ndanë mirënjohjet përkatëse para shpalljes solemne të hapjes së garave.
Kuadër agjendës së Universiadës, pas ceremonisë së hapjes vijojnë ndeshjet eliminatore dhe gjysmëfinale në futboll të vogël në palestrën e Gjimnazit “Zef Lush Marku” dhe në volejboll në palestrën “Shaban Trstena”, ndërsa ndeshjet finale, ndarja e kupave e medaljeve dhe ceremonia përmbyllëse do të mbahen të shtunën, më 21 nëntor 2026.
Universiteti “Nënë Tereza” në Shkup falënderon Komunën e Çairit, Gjimnazin “Zef Lush Marku”, federatat e sportit universitar, universitetet pjesëmarrëse dhe mediat për mbështetjen dhe pasqyrimin e këtij manifestimi.
