Shkup, Prill 2026 – Universiteti “Nënë Tereza” në Shkup ka kënaqësinë të njoftojë fillimin e projektit V-EXCHANGE – “Virtual Exchange for Global Citizenship and Digital Skills”, i financuar nga programi Erasmus+ i Komisionit Evropian në kuadër të aksionit për Shkëmbim Virtual.
Projekti koordinohet nga Prof. Inor. Dr. Diturije Ismaili, prorektore për Marrëdhënie Ndërkombëtare në UNT, dhe zbatohet në partneritet me institucione dhe organizata nga Maqedonia e Veriut, Bullgaria, Shqipëria dhe Kosova, duke krijuar një kornizë rajonale për bashkëpunim digjital dhe mësim ndërkulturor.
V-EXCHANGE i përgjigjet sfidës së vazhdueshme të qasjes së kufizuar në mobilitet ndërkombëtar dhe në mundësi të të mësuarit digjital në Ballkanin Perëndimor. Shumë studentë nuk kanë mundësi të marrin pjesë në programe tradicionale të shkëmbimit për shkak të kufizimeve financiare, gjeografike apo sociale, ndërkohë që mungesat në aftësitë digjitale dhe bashkëpunimin online mbeten të theksuara. Projekti i adreson këto sfida duke integruar Shkëmbimin Virtual (VE) në arsimin e lartë dhe programet rinore, duke ofruar një alternativë gjithëpërfshirëse dhe të qasshme ndaj mobilitetit fizik. Përmes aktiviteteve të tij, V-EXCHANGE do të ofrojë përvoja të shkëmbimit Virtual për mbi 500 studentë dhe do të trajnojë arsimtarë dhe punonjës rinorë në pedagogjinë moderne digjitale. Duke përfshirë mjete të bazuara në inteligjencë artificiale, gamifikim dhe storytelling digjital, projekti rrit angazhimin dhe forcon aftësitë digjitale, kompetencën ndërkulturore dhe qytetarinë aktive.
Në përputhje me prioritetet e Erasmus+ për transformim digjital, përfshirje dhe pjesëmarrje qytetare, projekti do të sigurojë ndikim afatgjatë përmes integrimit të Shkëmbimit Virtual në kurrikulat institucionale, të mbështetur nga një udhëzues i praktikave më të mira dhe një rrjet i qëndrueshëm bashkëpunimi rajonal.
