Shkup, Maj 2026 – Në kuadër të bashkëpunimit të botës akademike dhe institucioneve të sigurisë, studentët e Fakultetit Juridik të Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup ndoqën një prezantim profesional mbi përdorimin e poligrafit si mjet teknik në proceset hetimore.
Në këtë ligjëratë morën pjesë studentët e programeve studimore, Kriminalistikë dhe Doganë, Shpedicion dhe Sigurime. Prezantimi u realizua nga përfaqësues të Agjencisë për Siguri Kombëtare, të cilët para studentëve shpalosën metodat bashkëkohore të përdorimit të poligrafit në zbardhjen e veprave penale.
Aktiviteti u organizua nën udhëheqjen e Prof. Dr. Naser Etemit, si pjesë integruese e lëndëve që trajtojnë metodikën e hulumtimit dhe zbardhjes së krimeve. Gjatë këtij prezantimi, studentët patën mundësi të njihen nga afër me, përvojën praktike të përdorimit të poligrafit në terren, rolin e tij si mjet ndihmës në fazën operative të mbledhjes së dëshmive dhe indiceve si dhe analizën e rasteve specifike ku teknologjia ndihmon në efikasitetin e organeve të ndjekjes.
Kjo vizitë e ekspertëve të sigurimit kombëtar shërben si një urë lidhëse e rëndësishme që studentët të kuptojnë aplikimin e teorisë në praktika reale operative, duke i përgatitur ata për sfidat e ardhshme profesionale në institucionet e sigurisë dhe drejtësisë.
