Rektori i Universitetit ‘Nënë Tereza’ në Shkup, Prof. Dr. Aziz Pollozhani qëndroi për vizitë pune në Prishtinë, ku morri pjesë shënimin e 50-vjetorit të themelimit të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”.
Ky manifestim jubilar, u shënua me shumë aktivitete, filluar nga promovimi i monografisë kushtuar këtij institucioni me titullin “50 vjet Universiteti i Prishtinës”, akademi solemne dhe aktivitete tjera shkencore.
Rektori Pollozhani në emër të UNT-së i ndau falënderim rektorit të UP-së, Marjan Dema në shënjë mirënjohjeje për kontributin e dhënë nga UP-ja përgjatë shumë dekadave, në krijimin e kuadrove tek shqiptarët e Maqedonisë, me motivacionin: ‘Për kontributin e jashtëzakonshëm në përhapjen e arsimit, mendimit shkencor dhe zhvillimin e gjithëmbarshëm të shqiptarëve si dhe në veçanti për mbështetjen e pakursyer në themelimin dhe konsolidimin e Universitetit ‘Nënë Tereza’, në Shkup.
Në ceremoninë e 50 vjetorit të UP-së ku të pranishëm ishin qeveritarë, rektorë ndërkombëtarë dhe vendorë, përfaqësues të misioneve diplomatike, donatorë e partnerë të tjerë, u tha se me Universitetin e Prishtinës filloi një epokë e re për popullin shqiptar, jo vetëm në Kosovë por gjithandej Jugosllavisë së atëhershe.
Universiteti i Prishtinës është universiteti më i madh në Kosovë dhe njëri nga më të mëdhenjtë në rajon. UP u themelua me Ligjin mbi themelimin e Universitetit të Prishtinës, të cilin e miratoi Kuvendi i Kosovës më 18 nëntor 1969.
Themelimi i Universitetit të Prishtinës ishte një ngjarje historike për popullin e Kosovës dhe sidomos për kombin shqiptar. Kuvendi themelues i Universitetit të Prishtinës u mbajt më 13 shkurt 1970, kurse dy ditë më vonë, më 15 shkurt 1970 u mbajt edhe mbledhja solemne e Kuvendit dhe data e 15 shkurtit u shpall Dita e Universitetit të Prishtinës.