MARRËVESHJA E OHRIT ARRITJA MË E MADHE E SHQIPTARËVE TË MAQEDONISË SË VERIUT

Me rastin e 20 Vjetorit të MKO

𝐓ë 𝐫𝐫𝐚𝐥𝐥𝐚 𝐣𝐚𝐧ë 𝐧𝐠𝐣𝐚𝐫𝐣𝐞𝐭 𝐭ë 𝐜𝐢𝐥𝐚𝐭 𝐬𝐡ë𝐧𝐨𝐣𝐧ë 𝐤𝐭𝐡𝐞𝐬𝐚 𝐧ë 𝐡𝐢𝐬𝐭𝐨𝐫𝐢𝐧ë 𝐞 𝐬𝐡𝐪𝐢𝐩𝐭𝐚𝐫ë𝐯𝐞. 𝐍ë 𝐤ë𝐭ë 𝐤𝐨𝐧𝐭𝐞𝐤𝐬𝐭 𝐌𝐚𝐫𝐫ë𝐯𝐞𝐬𝐡𝐣𝐚 𝐊𝐨𝐫𝐧𝐢𝐳ë 𝐞 𝐎𝐡𝐫𝐢𝐭 (𝐌𝐊𝐎) 𝐩𝐚𝐫𝐚𝐪𝐞𝐭 𝐚𝐫𝐫𝐢𝐭𝐣𝐞𝐧 𝐦ë 𝐭ë 𝐦𝐚𝐝𝐡𝐞 𝐭ë 𝐬𝐡𝐪𝐢𝐩𝐭𝐚𝐫ë𝐯𝐞 𝐧ë 𝐌𝐚𝐪𝐞𝐝𝐨𝐧𝐢𝐧ë 𝐞 𝐕𝐞𝐫𝐢𝐮𝐭.

Pas dështimit më se një dekadësh për ti harmonizuiar drejtë raportet mes maqedonasve dhe shqiptarëve në Maqedoninë e sapo dalë nga shkatërrimi i Jugosllavisë, filloi konflikti mes forcave qeveritare dhe kryengritësve të organizuar si Ushtria Çlirimtare Kombëtare (UÇK) që përfundoi me marrëveshtje paqësore të Ohrit të nënshkruar më 13 Gusht të vitit 2001 nga palët dhe të garantuar nga faktorët kryesor të komunitetit ndërkombëtar SHBA, BE, NATO dhe OSBE.

Ky dokument sado që ishte një zgjidhje kompromisi mes palëve, përfaqëson arritjen më të madhe të shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut drejt realizimit të drejtave të tyre natyrore, historike dhe demokratike. Po i theksoj këto tre kontekste të realizimit dhe të zhvillimit të të drejtave, sepse të drejtat tona plotësisht mund të cilësohen si të tilla. Ato janë natyrore sepse në kushtet e një rendi të ri botëror dhe në kontekstin e standardeve evropiane, të drejta kolektive të etnive përbërëse të shtetit si e drejta për arsim në gjuhën amtare, e drejta për shprehjen dhe kultivimin e identitetit dhe e drejta për përfaqësim të drejtë në organet përfaqësuese, janë të drejta që mbrohen edhe me marrëveshje ndërkombëtare si standard themelor i një shoqërie demokratike.

Ato janë edhe të drejta historike, sepse shqiptarët janë popullatë autoktone në këtë vend dhe të drejtat e tyre janë zhvilluar dhe praktikuar, ndonëse me shumë peripeci dhe sakrifica në faza të ndryshme të zhvillimit tonë social dhe kulturor. Kushtetuta e vitit 1991 i mohonte disa të drejta që shqiptarët i patën fituar me shumë sakrifica dhe i gëzuan për një kohë edhe në sistemin socialist. Vazhdimi i mohimit të tyre edhe në kushte të pluralizmit do ta kompromitonte kuptimin e këtij sistemi të ri politik që po bëhej me synim të demokratizimit të vendit.

Janë të drejta demokratike, sepse një demokraci e vërtetë mund të ndërtohet vetëm me qytetarë të barabartë ku diskriminimi dhe nacionalizmi nuk mund të jenë parim i organizimit të raporteve të reja mes individëve apo grupeve me përkatësi të ndryshme etnike, fetare apo cilën do qoftë tjetër përkatësi që i dallon ose i bën të veçantë ata.

Një shtet që synonte të bëhej shtet i familjes evropiane, që deklaronte se parimet e ndërtimit të tij do të jenë vlerat evropiane, i duhej një transformim i thellë politik dhe shoqëror, që nënkuptonte ndryshimin e gjeneratorit të kësaj gjendje të padrejtë dhe ajo ishte ndryshimi i kushtetutës në mënyrë që ajo të bëhej e pranueshme nga të gjithë qytetarët e saj.
Refuzimi i klasës politike vendimarrëse të kohës për ta bërë këtë ndryshim për më shumë se dhjetë vite pas shpalljes së pluralizmit ishte shkaku i raporteve të tensionuara ndëretnike dhe më vonë i fillimit të konfliktit në vendin tonë. Rrjedhimisht, nënshkrimi i marrëveshjes Kornizë të Ohrit që parashihte këto ndryshime kushtetuese, e ndali luftën. Prandaj ky dokument me të drejtë do të mbetet si arritje më e madhe e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut sepse përmbushi kërkesat e shtruara dhe krijoi një bazë solide për harmonizimin e raporteve ndëretnike mbi parime demokratike duke eliminuar trashëgiminë diskriminuese në këto raporte dhe duke hapur perspektiva të reja arsimore, kulturore, ekonomike dhe në përgjithësi zhvillimore për shqiptarët si dhe për komunitetet tjera në vend.

Republika e Maqedonisë së Veriut pas Marrëveshjes së Ohrit ka ndryshuar dukshëm. Që në vitet e para pas nënshkrimit të saj, u tejkaluan barrierat politike dhe ligjore për arsim në gjuhën shqipe në të gjitha nivelet, u afirmuan dhe u kodifikua përdorimi i simboleve të identitetit shqiptar si gjuha dhe përdorimi i flamurit. U bë ndarje e re territoriale dhe u decentralizua pushteti duke fuqizuar dukshëm komunat e reja, filloi integrimi i shqiptarëve në administratën shtetërore dhe publike dhe si rezultat i krejt këtyre, dukshëm u shtua dhe u faktorizua edhe komponenta ekonomike dhe financiare e shqiptarëve.

Por… ,si më tutje ?

Kuptohet që tani, pas njëzet viteve, nuk do ishte e udhës që të numërojmë vetëm arritjet dhe mundësitë ligjore që i krijoi MKO-ja. Në fakt ky përvjetor duhet të jetë një rast për debat më të gjërë sepse nëpërmjet të debatit të tillë mund të arrihet në ide të dobishmë për hapërimin e mëtejmë të shoqërisë sonë. Kjo konsiston në nevojën për të hyjmë pak ma thellë dhe të shtjellojmë, brenda mundësive, edhe efektin praktik të saj në mirëqënien e popullatës dhe atë që quhet vlerë dhe cilësinë e kapitalit social që është rrjeta që e bën një shtet koheziv, funksional dhe demokratik.

Sikurse e thotë Gasseti në librin “Revolti i masave”, duhet parë se sa dhe si këto masa janë të qëndrueshme dhe e çojnë shoqërinë në progres të përgjithshëm.

Padyshim që një nga arritjet më të mëdha në planin ndërkombëtar është anëtarësimi i jonë në NATO, që u bë me marrëveshjen e Prespës e cila nuk do të ishte e mundur nëse elita politike në vend nuk do ta kishte mësuar mirë nevojën e “dialogut dhe kompromisit” nga Marrëveshja e Ohrit. Nga ana tjetër vonimi i procesit të integrimit në BE, jo vetëm që vendosi në dyshim kredibilitetin e procesit, por edhe po krijon klimë të volitshme për kthim prapa duke ofruar hapësirë për konceptet e vjetra të perspektivës së vendit. Ngjallja e “lugetërve” të vjetër dhe galvanizimi i ndikimeve dhe ideologjive të vjetra mund ta destabilizojë vendin dhe rajonin.
Por, zgjidhja nuk është “të vëmë kujën” dhe te kthimi pas. Zgjidhje e mençur do të jetë avansimi i frymës së Marrëveshjes së Ohrit dhe përparimi i demokracisë mbi parimet e njohura evropiane. Afirmimi i mëtejmë i vlerave që na dallojnë dhe vazhdimi i përpjekjeve për të gjetur zgjidhje që fuqizojnë kohesionin social edhe në simbolet dhe historinë shtetërore duhet të jetë një paradigmë e re e përbashkët. Pa një zgjidhje në këtë aspekt simbolik, vendi do të mbetet multietnik, multikulturor por i fragmentuar dhe fragjil.

Duhet rishikuar funksionimin e decentralizimit në drejtim të fuqizimit të rolit të komunave në faktor kryesor të zhvillimit, dhe jo duke i shpërblyer ato me mjete qëndrore buxhetore për sjelljet e tyre të paligjshme në sferën e ndërtimit (urbanizmit) dhe ruajtjes së ambientit.

Arsimi dhe kultura, që kanë përgjegjësinë për të përgatitur kuadrot dhe imazhin tonë për kohën që po vjen, nuk duhet të mburren vetëm për faktin që funksionojnë dhe në të punësohet një numër i madh i të rinjëve tanë. Sistemi arsimor dhe vlera kulturore duhet rishikuar dhe rikonceptuar për ta bërë atë pararendëse të ndryshimeve tekniko-teknologjike dhe të pasurinë tonë kulturore të identifikueshme në një botë shumëngjyrëshe.

Trashëgimia e dobët institucionale në sferën e kulturës dhe mungesa e bashkëpunimit me qendrat më të avansuara në këtë fushë të rajonit, ne na përjashton nga e drejta jonë për të qënë pjesë e tërësisë kulturore shqiptare e më gjërë. Mungesa e mjeteve për kulturë, si dhe dobësitë administrative për të terhequr ato, na ka pozicionuar në promotor të kuazivlerave periferike të kulturave tjera. Reformat në arsim dhe në kulturë nuk mund të lihen si pjesë e tentativave individuale për përmirësim, por ato duhet të përbëjnë thelbin e angazhimit institucional-shtetëror si dy fushat më të rëndësishme për formimin e gjeneratave të reja, si dhe afirmimit adekuat të shtetit në skenën botërore.

Kjo na kthen drejt një vrojtimi mbi adminstratën shtetërore e cila ka ardhur në pikën ku nuk është më e aftë të realizojë procese kualitative administrative mbi standardet që asaj i kërkohen nga partnerët tanë. Ajo nuk mund të jetë më vetëm “një numër që po shtohet” pa e matur edhe efektin e saj në rritjen e asaj që quhet efikasitet. Vetëm një rishikim i politikave të punësimit, respektivisht departizimi i këtij procesi dhe vendosja e parimit të meritokracisë do të ndihmonte dukshëm në pengimin e shpërnguljes së të rinjve tanë, por edhe të kuadrove kualitative që vendosin të lënë vendin e punën për shkak të luftës Don Kishotiane me të cilën duhet të përballen për të ndryshuar diçka.

Administrimi i një shteti të ri si i yni duhet të jetë po aq efikas sa konteksti në të cilin ndodhet, sepse vetëm në ketë mënyrë mund të mbështesë popullatën të cilës duhet ti shërbejë ajo. Për të ndryshuar këtë, qeverisja e mirë është esenciale dhe e domosdoshme për krijimin e sistemeve të reja politike, sociale dhe edukative mes tjerash.
Së fundmi, zhvillimi i biznesit edhe nga subjektet shqiptare është poashtu rezultat i frymës së Marrëveshjes së Ohrit dhe e konceptit neoliberal të ekonomisë. Ky sektor tani nga aktivitetet shërbyese dhe tregtare po kalon edhe në atë prodhues. Shkalla e ardhshme e rritjes në këtë aspekt do të ishte fuqizimi edhe në sektorin financiar si dhe inovativ teknologjik. Hapja e një banke komerciale do të shtynte zhvillimin ekonomik dhe do të krijonte lidhje më konkrete me diasporën tonë. Kjo do të mundësonte perspektiva të reja të raporteve tona me diasporën e cila tani më ekonomikisht dhe financiarisht është shumë më e konsoliduar dhe e etshme për investime. Kjo do të krijonte një model të ri të zhvillimit mbi bazën e investimeve të huaja. Zonat e lira ekonomike janë të dobishme për një fazë, por ato nuk mund të jenë zgjidhje e qëndrueshme dhe e përhershme. Benefitet dhe subvencionet e majme që atyre u jepen, rrisin apetitet e tyre dhe të kujtojnë frymën “neokolonialiste” të të menduarit.

Por, për të qenë më efikas dhe me pritje më realistike, kjo do të duhet të shoqërohet me politika më të sinqerta dhe më të guximshme drejt paqtimit dhe pajtimit të rajonit. Rajoni duhet të gjejë rrugën e vetëmjekimit deri në një masë sepse “Evropa e sotme” akoma po duket e ngjajshme me reliktet e “Botës së djeshme” të Cvajgut. Rajoni me shtete të vogla në Ballkan mund tu përballojë sfidave sot vetëm nëse gjen paqen e drejtë në mes vete si dhe mbështet fryma inovative dhe reformuese të cilat duhet të kenë autorësinë e rinisë.

Testi i fundit i MKO-së, por edhe të funkcionalitetit të shtetit mbështetet pikërisht tek aftësia jonë të krijojmë mundësi dhe ndjenjën se në këtë vend, një individ që punon mund të arrijë përparimin e tij apo të saj, ku një ide e mirëfilltë dhe e re mund të gjejë mbështetje.

Pa marrë parasysh arritjet e deritashme, ato nuk do të jenë të qëndrueshme dhe nuk do t’u rezistojnë sfidave të reja nëse nuk inspirojmë dhe nuk i hapim rrugë rinisë tonë në kërkim të koncepteve të reja. Kjo dekadë e re zhvillimore shtetërore duhet të mbështesë më fuqimisht zërin dhe vendin e të rrinjëve në ndërtimin e ardhmërisë së tyre.

𝐏𝐫𝐨𝐟. 𝐃𝐫. 𝐀𝐳𝐢𝐳 𝐏𝐨𝐥𝐥𝐨𝐳𝐡𝐚𝐧𝐢