𝐒𝐡𝐤𝐮𝐩, 𝟎𝟖.𝟏𝟎.𝟐𝟎𝟐𝟏Me një ceremoni solemne, në prani të krerëve të lartë shtetërorë, sot Universiteti “Nënë Tereza” në Shkup, shënoi jubileun – 5 vjet të fillimit me punë.
Para pjesëmarrësve të shumtë, mes cilëve kryetari i Kuvendit, z.Talat Xhaferi, kryeministri z.Zoran Zaev, zëvendës kryeministri i Parë z.Artan Grubi, ambasadorit të Shqipërisë E.T. z.Fatos Reka, ministra, zëvendës ministra, deputetë e kryetarë komunash, në fjalimin mirëseardhës, rektori i UNT-së, Prof. Dr. Aziz Pollozhani tha se me mbështetjen e qeverisë, me punën e palodhur të të punësuarve, dhe me përkushtimin e studentëve UNT ia doli.
‘Ia dolëm të konsolidohemi si në aspektin akademik, administrativ, por mbi të gjitha të sigurojmë një veprimtari arsimore dhe shkencore që na bën partner dinjitoz sa me institucionet simotra në vend, aq edhe në bashkëpunimin ndërkombëtarë’, tha rektori Pollozhani.
Kryetari i Kuvendit, në cilësinë e themeluesit të UNT-së, z.Talat Xhaferi tha se ‘Universiteti ‘Nënë Tereza’ ka rol jashtëzakonisht të madh në edukimin, emancipimin  dhe zhvillimin socio-ekonomik, kulturor dhe intelektual të shqiptarëve në vend,  duke kontribuar në ngritjen e vetëdijes kolektive për arsim në gjuhën amtare dhe integrimin sa më cilësor në shoqërinë tonë multietnike’.
Kryeministri Zoran Zaev tha se qeveria e ka mbështetur krijimin dhe konsolidimin e UNT-së, ndërsa premtoi edhe mbështetje për ndërtimin e kampusit universitar.
‘Universiteti ‘Nënë Tereza’ po e shkruan historinë e vet dhe historinë e arsimit të lartë në Maqedoninë e Veriut, dhe ajo që na ngelet ne, UNT-së dhe Qeverisë, është ta përmbyllin procedurën e zgjidhjes së përhershme të hapësirave të universitetit në kazermën ‘Ilinden’.
Zëvendës kryeministri i Parë dhe ministër i Sistemit Politik dhe marrëdhënieve mes bashkësive, Artan Grubi tha se kampusi universitar duhet ndërtuar sa më parë.
‘Sot duhet ti intensifikojmë përpjekjet që të mundësojmë ndërtimin e kampusit universitar në Shkup, me ç’ rast përgëzoj edhe kryetarin e komunës së Çairit për sjelljen e vendimeve të duhura për ta jetësuar këtë proces ndërsa ne si qeveri, siç tha edhe vetë kryeministri Zaev, gjithësesi se do të qëndrojmë në mbështetje të plotë të realizimit të këtij projekti’, tha në paraqitjen e tij zëvendës kryeministri i Parë z.Artan Grubi.
Në fund të ceremonisë solemne të shënuar me pikë artistike të interpretuara nga artistët Mustafa Imeri, Biljana Josifov dhe Biljana Petrovska, UNT shpërbleu studentët Besart Sefedini
Valon Ahmeti, Anesa Ismaili dhe Sadra Selami, me mirënjohje për përzgjedhjen e motove më të mira për shënimin e 5 vjetorit të UNT-s, ku për momentin studiojnë afro 3000 studentë.

By