𝐒𝐡𝐤𝐮𝐩, 𝟑𝟎.𝟏𝟏.𝟐𝟎𝟐𝟏 Universiteti ‘Nënë Tereza’ në Shkup sot ishte nikoqir i Prof. dr. Zendel Abedin Shehit, president i Institutit Europian për Menaxhim, Drejtësi dhe Diplomaci, i cili para stafit akademik dhe studentëve të programit studimor ‘Mediat dhe komunikimi interkulturor’ zhvilloi ligjeratën “Roli i gjuhës së trupit në komunikimin e përditshëm”, ndërsa pas ligjeratës promovoi  librin ‘Gjuha e trupit’.
Gjatë promovimit të librit, mikëpritësi, dekani i Fakultetit të Shkencave Sociale, Prof. Dr. Sunaj Raimi tha se kjo temë është gjithmonë aktuale dhe përfshin të gjithë shkencat, ndërsa falënderoi autorin për ligjeratën.
Shefi i Departamentit për media dhe komunikim ndërkulturor Doc.Dr. Agron Kurtishi tha se ndarja e këtyre përvojave me studentët e UNT-së është shumë e rëndësishme sepse gjuha e trupit është diçka që e përdorim çdo ditë, edhe pa vetëdije, ndërsa kjo ligjeratë na vetëdijëson se çfarë bëjmë në rutinën tonë të përditshme.
Autori i librit ‘Gjuha e trupit’, Prof. dr. Zendel Abedin Shehi, me origjinë nga Gostivari, tha se që nga viti 2016 është kthyer në Maqedoninë e Veriut, pas një pune 15 vjeçare në universitete të ndryshme në Turqi dhe botë. Ka vërejtur dhe vëren shumë paragjykime tek njerëzit këtu, ndërsa si problem kryesor te popujt e Ballkanit vlerëson komunikimin mes njerëzve, i cili asesi nuk mund të përmirësohet, për shkak të paragjykimeve që njerëzit nga kombe të ndryshme kanë për njëri-tjetrin.
‘Ne, në Ballkan kemi aftësinë të dëgjojmë tjetrin, por kur bëjmë vlerësim për njeriun me të cilin flasim, apo për temën për të cilën flet ai, e bëjmë duke selektuar vetëm ato pjesë që ne i ndajmë dhe na përlqejnë për të krijuar mendim për atë njeri. Për shembull ne dëgjojmë nga ai 10 gjëra, ndërsa selektojmë vetëm dy apo tre, dhe në bazë të tyre reagojmë ndaj tij’, tha autori.
Të tillë jemi edhe në rrugë edhe në politikë edhe githandej, tha profesor Shehi, duke shtuar se aroganca dhe injoranca, ka bërë që vendin ta lëshojnë mbi 500 mijë njerëz. Ai tha se gjuha e trupit vlerësohet tek ne si diçka e thjeshtë, por në fakt ajo lexon dhe përçon leximin e shpirtërores tek ne.
‘Ne kemi frikë nga suksesi jonë, dhe merremi me fobitë tona-arsyetimet’ shtoi autori, duke përfunduar me faktin se shumica e njerëzve ndryshojnë, në moshën deri 20 vjeçare njerëzit janë demockratë, deri në moshën 40 vjeçare liberalë, ndërsa nga mosha 60 vjeçare konzervatorë’,  tha Prof. dr. Zendel Abedin Shehi.
Pas ligjeratës me titull “Roli i gjuhës së trupit në komumikimin e përditshëm”, dhe promovimit të librit ‘Gjuha e trupit’ autori ndau mirënjohje për organizatorët dhe mbështetësit e promovimit, ndërsa u prit edhe nga rektori i UNT-së, Prof. Dr. Aziz Pollozhani.

By