Shkup, 07.07.2022 – Në Universitetin “Nënë Tereza” në Shkup u realizua me sukses Tryeza e rrumbullakët me ekspert shkencor të fushave ekonomike nga Universiteti ynë dhe përfaqësuar nga Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimpore, duke elaboruar mbi temën “Vala e rritjes së çmimeve dhe buxhetit familjar në RMV”.

Tryezën e përshëndeti Rektori i UNT-së Prof. Dr. Izet Zeqiri duke potencuar se: “Nga vala e rritjes së çmimeve është ndikuar buxheti familjar dhe është rritur varfëria, sot varfërinë e kemi mbi 22% ku nga kjo në strukturë 8% janë të varfur të punësuarit, 45% janë të papunët, 7% pensionistët dhe 32% personat tjerë jo-aktiv. Ajo që është indikative rritja e varfërisë ekstreme ku mbi 3% e popullatës rezidente në vend jeton sot me 1.9 dollarë në ditë.” – tha rektori Zeqiri

Rektori Zeqiri thotë që ‘duhet masa urgjente qeveritare të ndërpritet zinxhiri varfërisë në pagesa të ndihmave finansiare për të varfërit dhe krijimi i kushteve për punësimin e tyre’.

Profesoresha Doc. Dr. Bukurije Imeri Jusufi në elaborime të temës “Shporta e konsumit, çmimi dhe pagat” potencoi se në ‘strukturën e shpenzimeve të jetës në Republikën e Maqedonisë së Veriut pjesa më e madhe janë shpenzimet e ushqimit që përbëjnë rreth 40% për periudhën 2010-2022, ndërsa në vendet e Europës është rreth 19% dhe njëkohësisht rritja e çmimeve të produkteve ekzistenciale për jetesë nga viti 2021 në vitin 2022 është 17%, që ndikon në mënyrën e jetesës, por nga ana tjetër rritja e çmimeve nuk ndiqet me të njejtën dinamikë me rritjen e rrogës minimale dhe mesatare.’ – tha profesoresha Jusufi

Mr.sc. Ejup Abdullahi përfaqësues nga Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore (OEMVP) tha se ‘situata aktuale e Kovid-19 dhe agresioni Rus mbi Ukraninën ka bë që si sipërmarrës të ndodhemi në një situatë ku planifikimi i furnizimit dhe shitjes të jetë në disbalans. Ndryshe, rritja e çmimeve të resurseve kryesore për prodhimtarinë, rritja e çmimeve të energjenseve si çmimi i derivateve të naftës rritja enorme e energjisë elektrike si bazë e shpenzimeve operative në transport dhe në prodhim, të gjitha këto faktorë ndikojnë në çrregullimin e çmimeve të produkteve finale ushqimore të cilët e dobësojnë fuqinë konsumatore kur ekonomia jonë bazohet në konsum.’ thotë Abdullahi nga OEMVP.

Ndërsa, Doc. Dr. Rilind Ademi vëmendje të veçantë i dha temës “Faktorët ndikues në rritjen e çmimeve” duke potencuar që inflacioni është kryesisht fenomen i importuar e si pasojë e një rritje të çmimeve në sektorin e energjisë dhe në sektorin e ushqimeve. Përkrah kësaj mund të vërejmë që politika fiskale dhe monetare ishte ekspanzive gjatë vitit 2020 dhe vitit 2021 që i dha një shtytje kthimit të kërkesës vendore, e në kuadër të prishjes së zinxhirave furnizues botëror kjo i ka dhënë shtytje edhe inflacionit si fenomen ekonomik.’ – tha profesori Ademi

Profesoresha Doc.Dr. Zana Beqiri Luma hulumtimet e saj i kishte mbi “Strukturat e indeksit të çmimit të konsumatorit” gjë që prezentoi rezultatet e një studimi empirik në lidhje me determinantët e inflacionit në RMV për periudhën kohore 2005-2022. Nga modeli ekonometrik (ARDL) rezultoi që inflacioni vendor në masë të madhe është i importuar – një rritje prej 1 p.p. në normën e inflacionit të vendeve të UE shkakton një rritje prej 0.9 p.p. në inflacionin vendor. Faktorë tjerë relevant që përcaktuan normën e inflacionit gjatë kësaj periudhe ishin norma bazë e interest, kursi efektiv i këmbimit dhe konsumi final si komponentë e kërkesës aggregate.’ – tha profesoresha Luma

Gjatë diskutimit u potencua nevoja për të dhëna të sakta dhe të përditësuara si parakusht për studime rigoroze empirike që do të kishin dhënë rekomandime mirë të informuara për zhvillimin e politikave shtetërore. Gjithashtu në këtë tryezë u dha vëmendje të veçantë të pranishmëve duke hapur debatin interaktiv me interes të temës si një shqetësim që tani më qytetarët tanë po e ndjenjë në përditshmëri.

By