Shkup, 22.02.2023 – Universiteti ‘Nënë Tereza’ në Shkup në kuadër të bashkëpunimit me Universitetin e Shkencave të Aplikuara të Hagës, sot zhvilloi Panel Diskutim, ku prezentë ishin profesorët Joost van Hoof dhe Jeroen Dikken, të cilët së bashku me profesorët e UNT-së Daniel Pavlovski dhe Elisabeta Bajrami Ollogu do të realizojnë projekt katërjavor për të mësuar se sa miqësor është qyteti i Shkupit për të moshuarit.

UNT gjatë muajit mars do të zhvillon anketë me 800 qytetarë të Shkupit, rreth kushteve që ofron qyteti i Shkupit për të moshuarit. Target grupi do të përbëhet nga 400 shqiptarë dhe 400 maqedonas, nga dy gjinitë. Atyre do tu parashtrohen 40 pyetje rreth cilësisë së shërbimeve që marrin, në sferën e mjekësisë, infrastrukturës së lagjes, transportit, sa mjete përfitojnë në bazë të pensionit apo ndihmës sociale.

Hulumtim i titulluar ‘Si e përjetojnë të moshuarit plakjen -mjediset miqësore për të moshuarit në Shkup: Një studim kuantitaiv, do të zhvillohet nga profesorët e UNT-së Daniel Pavlovski dhe Elisabeta Bajrami Ollogu, ndërsa dy profesorët nga Holanda Van Hoof dhe Dikken mundësuan përdorimin falas të instrumenteve kërkimore që ata kanë krijuar dhe janë vepër autoriale e tyre, në pjesën e përcaktimit të metodologjisë së kërkimit, si dhe në pjesën e përpunimit dhe interpretimit të rezultateve. Shkupi është përzgjedhur bashkë me qytetet Krakov dhe Vrocrav në Poloni, Bukureshti i Rumanisë dhe Haga e Holandës, dhe pas marrjes së rezultateve do të bëhet edhe krahasim kulturor mes qyteteve të lindjes dhe perëndimit të Europës.

Profesor Daniel Pavlovski gjatë panelit tha se Maqedonia në bazë të censusit të fundit ka rënie drastike të numrit të popullsisë, dhe për momentin ka 1.830.000 banorë, ndërsa plakja demografike është evidente. Prorektori për Arsim dhe Çështje studentore Prof.Inor.dr. Fati Iseni dhe prorektori për Financa, Investime dhe Zhvillim Doc. dr. Bujamin Bela u ndanë mirënjohje dhe plaketa profesorëve nga Holanda, në shenjë falënderimi për angazhimin e tyre në UNT.

Projekti për krijimin e qyteteve miqësore për moshat e avancuara ka filluar para 15 viteve, dhe në të bëjnë pjesë 1400 qytete nga e mbarë bota. Shkupi në sajë të bashkëpunimin të UNT-së me Universitetin e Hagës do të jetë qyteti i parë që do të skenon mjedisin që ofron kryeqytetit për të moshuarit.

By