Studentët e programit studimor ‘Media dhe Komunikim Ndërkulturor’ pranë Universitetit ‘Nënë Tereza’ në Shkup, vizituan dy televizionet më të mëdha kombëtare në vend, Alsat M dhe TV21.Ky aktivitet u inicua nga shefi i programit studimor Prof.inord. Agron Kurtishi, bashkë me profesorët Avni Avdiu, Arta Xhelili dhe Agron Vrangalla.
Vizita u realizua në vigjilje të Ditës Ndërkombëtare të Lirisë së Mediave, ku studentët patën mundësinë të njihen për së afërmi me praktikën dhe përditshmërinë e punës së televizioneve në vendin tonë.
Në Televizionin Alsat, studentët u mirëpritën nga kryeredaktori Dr. Admir Qose i cili bëri një përshkrim të detajuar rreth përditshmërisë të punës së tyre si dhe sfidave me të cilat ballafaqohet media dhe gazetaria sot.
Ndërkaq redaktori i Televizionit 21 Mr. Besir Arifi, pasi mirëpriti studentët, u sqaroi atyre procesin e punës së një redaksie lajmesh duke ua bërë më të qartë të gjithë mbarëvajtjen e një dite të zakonshme në televizion.
Studentët pasuruan horizontin e njohurive përmes pyetjeve dhe përgjigjeve që morën nga nikoqirët e redaksive përkatëse. Stafi i Alsat M dhe TV21 shfaqi gatishmërinë e plotë të bashkëpunimit me studentët e Univeristetit Nënë Tereza, duke iu ofruar atyre mundësinë për realizimin e praktikës së nevojshme profesionale gjatë periudhës së pushimit veror.