Shkup, 07.12.2023 – Fakulteti i Shkencave Sociale pranë Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup në bashkëpunim me shoqatën “Asociacioni për Afirmim e Gruas” realizoi panel diskutimi me rastin e 16 ditëve të aktivizmit kundër dhunës ndaj grave dhe vajzave me temën “25 NËNTORI DITA NDËRKOMBËTARE KUNDËR DHUNËS NDAJ GRAVE”.

16 Ditët e Aktivizimit kundër Dhunës me Bazë Gjinore është një fushatë vjetore që fillon më 25 Nëntor, Dita Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave dhe vazhdon deri në Ditën Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut më 10 Dhjetor.

Këtë vit, tema e fushatës është “BASHKOHUNI! Investoni për të parandaluar dhunën kundër grave dhe vajzave”, sepse çdo përpjekje e investuar në parandalimin e dhunës ndaj grave është një hap përpara drejt një bote më të sigurt, më të barabartë dhe më të begatë.

Paneli filloi me një minutë heshtje për Liridona Ademaj dhe Vanja Gjorcevska, viktima të dhunës që tronditën mbarë vendin dhe regjionin. Dekanja e Fakultetit të Shkencave Sociale dhe kryetarja e Asociacionit për Afirmimin e Gruas znj. Ajgyl Sulejman, e hapën panelin duke theksuar se diskutimi i çështjeve lidhur me dhunën ndaj grave dhe vajzave është qenësore në përpjekjen për të ndërtuar një shoqëri gjithpërfshirëse dhe të drejtë, ku dhuna ndaj grave është e papranueshme dhe ku viktimat do të ndihen vërtet të mbrojtura.

Znj. Ajgul Sulejman shprehu shqetsimin se ekziston një numër i madh i grave dhe vajzave të cilat nuk e raportojnë dhunën dhe se është e domosodoshme që ato të ndërgjegjsohen për të drejtat e tyre, mundësitë dhe mënyrat për t’u mbrojtur. Çfarë paraqet dhuna dhe si të rritet vetëdija rreth saj, cilat janë mekanizmat për parandalimin e dhunës, cila është korniza ligjore për mbështetjen e grave, si funksionojnë qendrat për viktimat dhe strehimoret, ku mund të merret mbështetje psikologjike, ku dhe si të gjendet siguri… Këtyre dhe pyetjeve të tjera, të moderuara nga Dr. Arta Xhelili, pedagoge pranë UNT, u përpoqën t’ju përgjigjen panelistet: Znj. Fisnike Bekteshi Shaqiri, Doktor I Shkencave Juridike dhe Znj. Nita Beluli Luma, Doktor i Psikologjisë Klinike. Dr. Fisnike Bekteshi Shaqiri, deputete në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, foli për karakteristikat fenomenologjike të dhunës ndaj grave, format e saj, trajtimin penal dhe rolin dhe funksionalizimin e instrumenteve shtetërore në mbrojtjen e viktimave të dhunës në bazë gjinore.

Dr. Nita Beluli Luma, koordinatore e programit studimor të Psikologjisë pranë UNT, foli mbi traumat e të mbijetuarave të dhunës, dhe nevojën për trajtim psikologjik të tyre përgjatë si dhe pas procesit të raportimit. Veç kësaj ajo analizoi edhe profilet psikologjike të agresorëve dhe vuri në dukje që në procesin e parandalimit dhe luftës ndaj dhunës ndaj grave dhe vajzave duhet të përfshihet dhe trajtimi i agresorëve si dhe ngritja e vetëdijes së burrave dhe djemve.

Paneli u përmbyll duke u bërë thirrje gjinisë mashkullore që të angazhohen plotësisht dhe të marrin përgjegjësinë për arritjen e barazisë gjinore, duke theksuar se dhunën ndaj grave dhe vajzave mund ta luftojmë dhe fitojmë vetëm së bashku.

By