Shkup, 08.02.2024 – Universiteti “Nënë Tereza” në Shkup sot nënshkroi memorandum për bashkëpunim me Universitetin “Necmettin Erbakan” në Konja të Turqisë që ka për qëllim thellimin e bashkëpunimit, zhvillimit dhe mirëkuptimit të përbashkët në fushën e edukimit dhe hulumtimit.

Në bazë të këtij memorandumi dy universitetet do të kenë bashkëpunim në projekte të përbashkëta hulumtuese dhe pilot projekte, shkëmbim të stafit hulumtues dhe mësimdhënës, shkëmbim të studentëve, organizim të përbashkët të seminareve, konferencave dhe punëtorive si dhe shkëmbim të publikimeve shkencore dhe materialeve të tjera për qëllime hulumtuese dhe edukative.

Me memorandumin e nënshkruar nga rektori i UNT-së Prof. dr. Izet Zeqiri dhe sekretari gjeneral i Universitetit “Necmettin Erbakan” Doc. dr. Hüseyin Zahit Selvi janë paraparë vizita afatshkurte të anëtarëve të lartë të stafit për konsultime, ligjerata dhe planifikim të projekteve, vizita afatgjate nga stafi hulumtues dhe teknik për trajnime, për studime pasdiplomike ose për pjesëmarrje në projekte të përbashkëta hultumtuese, shkëmbim të studentëve të padiplomuar ose të diplomuar për punë praktike dhe pjesëmarrje në programe internacionale, promovimi i kontakteve me shkencëtarë të shquar nga qendra të tjera akademike në vendet përkatëse, promovimi i kontakteve të përbashkëta me shkencëtarë të një vendi të tretë për të marrë pjesë në projekte më të gjera ndërkombëtare si dhe mbështetje e përbashkët për planifikimin dhe implementimin e vizitave në vendet përkatëse.

Dy universitetet do të ofrojnë mbështetje financiare sipas mundësive që ka secila palë, ose do të kërkojnë të sigurojnë financim nga burime të tjera kombëtare ose ndërkombëtare.

By