Shkup, 21 shkurt 2024 – Sot në Universitetin “Nënë Tereza” në Shkup, në organizim të Fakultetit të Shkencave Humane u shënua 21 Shkurti – Dita ndërkombëtare e gjuhëve amtare.  Me këtë rast, para studentëve dhe stafit akademik u mbajt Panel Diskutimi me Temën “Gjuhët amtare përballë globalizmit”. Panelistë ishin: Prof.dr. Mustafa Ibrahimi – Dekan i Fakultetit të Shkencave Humane, UNT; Prof.dr. Vlladimir Martinovski – Dekan i Fakultetit Filologjik “Bllazhe Koneski”, UKIM dhe Prof.dr. Berton Sulejmani – Dekan në Fakultetin Filologjik, UT Tetovë.

Panelin e hapi Dekani i FSHH, prof.Ibrahimi i cili të pranishmit i njoftoi se data 21 shkurt u zgjodh si ditë ndërkombëtare e gjuhës amtare  nga ana e UNESCO-s  për t’i përkujtuar studentët e  Bangladeshit, të cilët u qëlluan dhe disa u vranë nga policia pakistaneze më 21 shkurt 1952 në Daka, kryeqytet i tanishëm i Bangladeshit, por atëherë pjesë e Pakistanit. Ata ishin hedhur në demonstrata për të kërkuar njohjen zyrtare të gjuhës së tyre, bengalishtes. Që nga viti 1999 UNESCO-ja  21 shkurtin e ka shpallur si ditë ndërkombëtare të gjuhës amtare. Në vitin 2007 e njëjta ditë është pranuar nga Asambleja e Kombeve të Bashkuara.

Prof.dr. Vlladimir Martinovski – Dekan i Fakultetit Filologjik “Bllazhe Koneski”, UKIM  në fjalimin e tij, gjerësisht elaboroi rëndësinë e gjuhëve amtare për kulturën, traditat dhe historinë e çdo kombi. Me theks të veçantë u ndal në kultivimin e gjuhës standarde maqedonase, si dhe kontributin e Bllazhe Koneskit për gjuhën dhe klulturën maqedonase. Ai më tutje u ndal në rëndësinë e përkthimeve dhe kontributin e përkthyesit në thënien shpirt të një vepre  letrare e artistike. Prof. Martinoski theksoi se në Librin e Kuq të gjuhëve të rrezikuara janë edhe 7 gjuhë nga Ballkani, midis tyre gjuha vllahe dhe rome, të cilët shteti i RMV duhet të hartojë programe të veçanta për t’i shpëtuar nga zhdukja. Foli edhe për çështje globale dhe rreziku që vjen nga globalizmi.

Prof.dr. Berton Sulejmani – Dekan në Fakultetin Filologjik, UT Tetovë, midis tjerash u ndal në rëndësinë e kultivimit të gjuhës amtare shqipe. Të rinjtë duhet të lexojnë më shumë dhe ta përdorin gjuhën e pastër dhe të normuar shqipe. Ai dha një pasqyrë të veprave të rilindasve që kanë qenë frymëzim për breza të tërë. Ai vlerësoi lart aftësinë e përkthimit, si shembull mori Fan Nolin në përkthimin e veprave të Shekspirit. Sipas prof. Sulejmanit në Maqedoninë e Veriut kontribut kanë dhënë shumë institucione si: Katedrat e Gjuhës Shqipe në Shkup dhe Tetovë, gazeta e përditshme “Flaka e vëllazërimit”; Radio Shkupi dhe Televizioni në gjuhën shqipe dhe sot Agjencia për Zbatimin e Gjuhëve dhe Instituti i Trashëgimisë të gjuhës shqipe.

Prof.dr. Mustafa Ibrahimi – Dekan i Fakultetit të Shkencave Humane, UNT, preku disa tema rreth numrit të rrezikuara në botë. Ai foli për historikun e lindjes së gjuhëve; Përpjekjet e OKB-së, UNESCO-s dhe BE-së për fatin e gjuhëve më të vogla; Ekologjia gjuhësore dhe objekti i saj; Më tutje prof. Ibrahimi, duke u mbështetur në revistën “ Etnologue” tha se në botë janë rreth 7000 gjuhë të gjalla, por se në fund të shekullit XXI mund të zhduken rreth 90 % të gjuhëve. Në paraqitjen e tij paraqiti shumë të dhëna statistikore për gjuhët e zhdukura apo që janë në rrezik. Foli për Globalizmin joliberal dhe pasojat e kolonializmit për gjuhët e pushtuara.

Në fund prof. Ibrahimi foli për dominimin e anglishtes, Realitetin gjuhësor në Evropë dhe Rendin e ri gjuhësor në Botë.Pas mbarimit të prezentimeve nga ana e panelistëve, u parashtruan shumë pyetje nga stafi dhe studentët duke hapur debate konstruktive. Të tre dekanët u pajtuan se bashkëpunime të këtilla duhet të vazhdojnë edhe në të ardhmen.

By