Shkup, 30.10.2024 – Në kuadër të aktiviteteve të ndërgjegjësimit, Fakulteti i Shkencave Sociale në Universitetin “Nënë Tereza” në Shkup ka shënuar muajin e “Tetorit Rozë”, muaj i dedikuar ndërgjegjësimit për parandalimin dhe luftën kundër kancerit të gjirit me një panel diskutimi të hapur për studentët dhe stafin universitar.

Aktiviteti u udhëhoq nga profesoresha e psikologjisë në UNT, Doc. Dr. Nita Beluli, të bashkangjitur nga dy panelistet Znj. Liridona Beqiri aktiviste për ndërgjegjësimin e kancerit të gjirit njëherit dhe kryetare e organizatës EZRA si dhe Znj. Alije Alimi profesoreshë e psikologjisë pranë Universitetit “Shën Kirili dhe Metodi” të cilat para të pranishmëve diskutuan për ndërgjegjësim dhe rëndësinë e zbulimit të hershëm dhe përkujdesjes shëndetësore për parandalimin e sëmundjeve serioze.

Ky organizim jo vetëm që ndihmon në rritjen e njohurive rreth sëmundjes, por gjithashtu nxit pjesëmarrësit të jenë më të ndërgjegjshëm për shëndetin e tyre dhe të familjeve të tyre. Falë këtij angazhimi, Universiteti “Nënë Tereza” në Shkup mbetet një promotor i rëndësishëm i kauzave shëndetësore dhe një shembull i mirë i solidaritetit dhe përkushtimit ndaj shëndetit të komunitetit.

By