Shkup, 25.12.2024 – Universiteti “Nënë Tereza” në Shkup shënoi me solemnitet 8-vjetorin e themelimit dhe fillimit të punës, duke ndarë mbi 200 diploma për studentët e gjeneratës së vitit 2023, që përfunduan studimet në këtë vatër të dijes.
Në këtë ceremoni të veçantë morën pjesë personalitete të shquara nga fusha akademike, institucionet publike dhe sektori privat, ndër ta kryetari i Komunës së Çairit, z. Visar Ganiu, përfaqësuesi i Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës së RMV-së, z. Ahmed Qazim, kryetari i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veri-Perëndimore, z. Mendi Qyra, kryetari i Fondacionit AXIS, z. Rufat Serifi, drejtori i Fondacionit Albiz, z. Besir Dernjani, drejtorit ekzekutiv të OEMVP-së, z.Durim Zeqiri si dhe përfaqësues të Këshillit Drejtues të OEMVP-së.
Rektori i UNT-së, Prof. dr. Izet Zeqiri, në fjalën e tij përshëndetëse e cilësoi këtë moment si historik për universitetin. Ai vlerësoi arritjet e deritanishme dhe theksoi sfidat që e presin UNT-në në të ardhmen:
“Gjatë vitit 2024 kemi bërë hapa të rëndësishëm drejt përmbushjes së synimeve tona. Kemi shënuar përparime të mëdha akademike, infrastrukturore dhe ndërkombëtare. Me ndarjen e mbi 200 diplomave, ne kremtojmë suksesin e studentëve tanë, të cilët janë të përgatitur për t’u përballur me sfidat e së ardhmes,” tha rektori Zeqiri.
Ai gjithashtu theksoi prioritetet strategjike për të ardhmen, si: zhvillimi i infrastrukturës akademike dhe kërkimore, rritja e cilësisë së arsimit dhe promovimi i kërkimeve shkencore, digjitalizimi i proceseve administrative, përfshirja e studentëve në vendimmarrje, sigurimi i financimit të qëndrueshëm dhe fuqizimi i bashkëpunimeve ndërkombëtare.
Në fjalën e tij, kryetari i Komunës së Çairit, z. Visar Ganiu, përgëzoi UNT-në për përparimin e saj dhe theksoi rëndësinë e këtij institucioni si një qendër e zhvillimit akademik dhe profesional. Ai vlerësoi angazhimin e UNT-së për promovimin e diversitetit dhe vlerave universale, duke nënvizuar se bashkëpunimi me këtë universitet do të vazhdojë të thellohet.
Kryetari i Senatit të UNT-së, Prof.dr. Zoran Gacovski në fjalën e tij përshëndetëse, e cilësoi UNT-në si një institucion kredibil dhe të avancuar, duke uruar të gjithë të diplomuarit për arritjet e tyre dhe duke i inkurajuar ata për angazhim të mëtejshëm në fushën shkencore dhe profesionale.
Ky solemnitet në ambientet e UNT-së, u moderua nga profesoresha Genta Spahiu Mirzo dhe Donka Kaziovska.
Në nder të këtij përvjetori, rektori dhe dekanët e fakulteteve përkatëse ndanë diplomat për studentët e diplomuar, të cilët tashmë janë gati të përballen me sfidat e tregut të punës.