Shkup, Dhjetor 2024 – Universiteti “Nënë Tereza” në Shkup organizoi me sukses një seminar trajnimi për përmirësimin e cilësisë së punimeve shkencore në revista akademike. Gjatë seminarit, prorektori për Shkencë, Prof.dr. Bekim Fetaji, mbajti një prezantim gjithëpërfshirës mbi rëndësinë e punimeve shkencore të botuara në revista me faktor ndikimi.

Prorektori Fetaji theksoi konceptet kryesore për strukturimin dhe përgatitjen e artikujve shkencorë, diskutoi mangësitë në hulumtime (gap analysis) dhe ndau qasje praktike për përmirësimin e botimeve shkencore të UNT-së.

Gjatë seminarit, pjesëmarrësit patën mundësinë të mësojnë për:

– Platforma dhe mjete digjitale për citime dhe referenca korrekte;

– Matricat për hulumtime dhe strukturimin e punimeve shkencore;

– Strategjitë për rritjen e dukshmërisë dhe citimeve të artikujve shkencorë;

– Praktikat më të mira për dorëzimin e artikujve në revistat akademike të fakulteteve të UNT-së.

Gjithashtu, u theksua rëndësia e ndjekjes së formateve të përcaktuara dhe respektimi i afateve për dorëzim. Afati i fundit për dorëzimin e artikujve është 27 janar 2025, dhe aplikimet duhet të bëhen përmes Formularit Online të Aplikimit, i cili është i disponueshëm në seksionin “Submission” të faqes zyrtare të revistave: www.journals.unt.edu.mk.

Ky seminar u organizua me qëllim forcimin e kapaciteteve shkencore të stafit akademik dhe studentëve, duke synuar rritjen e cilësisë dhe ndikimit të publikimeve të Universitetit “Nënë Tereza” në fushën akademike.

By