Shkup, 30.10.2025 – Në kuadër të aktiviteteve për bashkëpunim me kompani ndërkombëtare të inovacionit dhe zhvillimit teknologjik, në Universitetin “Nënë Tereza” në Shkup u realizua ligjërata me temë “Ndarja e automjeteve elektrike, drejt një mobiliteti të qëndrueshëm”, e mbajtur nga kompania Avantcar, e cila është e njohur në rajon për zgjidhjet e saj bashkëkohore në fushën e transportit të gjelbër.

Ligjërata u mbajt nga menaxheri kryesor i klientëve nga kompania AVANTCAR në Republikën e Maqedonisë së Veriut, z. Darko Stefanovski, i cili prezantoi konceptin inovativ të ndarjes së automjeteve elektrike për përdorim të përbashkët, si një model modern i lëvizshmërisë urbane që ndihmon në uljen e ndotjes, zhurmës dhe ngarkesës në komunikacion.

Gjatë prezantimit u theksua rëndësia e zhvillimit të transportit të pastër dhe efikas, si dhe përfitimet që sjell teknologjia elektrike në ruajtjen e mjedisit dhe përmirësimin e cilësisë së jetës në qytet. Studentët, profesorët dhe stafi universitar patën mundësinë të njihen nga afër me ofertën e qëndrueshme të kompanisë Avantcar, e cila tashmë vepron me sukses në disa shtete të Evropës dhe po kontribuon në transformimin ekologjik të sektorit të transportit.

Në përfundim të ligjëratës, kompania Avantcar u mundësoi të gjithë pjesëmarrësve të ndjekin edhe një sesion praktik në terren, për të parë nga afër funksionimin e automjeteve elektrike dhe zbatimin e konceptit të mobilitetit të qëndrueshëm.

Avantcar është njëra ndër kompanitë lidere në fushën e mobilitetit të qëndrueshëm dhe transportit elektrik, me mbi 15 milionë kilometra të realizuar me automjete 100% elektrike, duke u bërë një shembull i suksesshëm i zhvillimit të transportit ekologjik. Ky bashkëpunim paraqet një hap të rëndësishëm për Universitetin “Nënë Tereza” në Shkup drejt ndërtimit të një kampusi më të gjelbër, më inovativ dhe më të hapur ndaj teknologjive të qëndrueshme.

By