Më 13-14 shkurt 2026, u mbajt me sukses takimi hapës i projektit “CRAFT-VET Revitalizing Albanian Artisanal Heritage Through Smart Manufacturing and Circular Economy Skills”, duke shënuar nisjen zyrtare të bashkëpunimit në kuadër të Erasmus plus, Capacity Building in VET. Projekti koordinohet nga Universiteti “Nënë Tereza” në Shkup dhe synon modernizimin e arsimit profesional në sektorin e artizanatit. Ky projekt koordinohet nga Prof. Inor. Dr. Diturije Ismaili, prorektore për Marrëdhënie Ndërkombëtare.
Në ditën e parë u prezantua kuadri i përgjithshëm i projektit, struktura e menaxhimit dhe zhvillimi i kurrikulave të reja, të orientuara drejt kompetencave digjitale dhe inovacionit. Partnerët diskutuan gjithashtu për integrimin e teknologjive të avancuara në procesin mësimor.
Gjatë sesioneve u trajtua koncepti i Smart Craft Labs, përdorimi i dizajnit 3D dhe mjeteve digjitale, si dhe lidhja e zejeve tradicionale me ekonominë qarkulluese dhe qëndrueshmërinë mjedisore.
Dita e dytë u fokusua në zbatimin e trajnimeve, integrimin në treg, ndërmarrësin dhe strategjinë e diseminimit dhe qëndrueshmërisë afatgjatë të projektit. U përcaktuan indikatorët kryesorë dhe hapat e ardhshëm të raportimit.
Takimi u karakterizua nga një diskutim i hapur dhe konstruktiv mes partnerëve, ku u analizuan varësitë ndërmjet paketave të punës, mekanizmat e komunikimit, afatet raportuese dhe hapat e menjëhershëm për implementim. Partnerët ndanë ekspertizën dhe përvojat e tyre, duke krijuar një bazë të fortë për bashkëpunim efektiv gjatë gjithë ciklit të projektit.
CRAFT-VET synon të adresojë sfidat kritike me të cilat përballen zejet tradicionale si përpunimi i drurit, tekstili, filigrani dhe gdhendja e gurit, duke i gërshetuar ato me teknologji të avancuara dhe parime të qëndrueshmërisë mjedisore. Përmes këtij modeli transformues, projekti kontribuon në rritjen e interesit të gjeneratave të reja dhe zhvillimin e kompetencave digjitale në sektorin e artizanatit.
Takimi fillestar konfirmoi angazhimin e plotë të partnerëve për realizimin me sukses të objektivave të projektit dhe vendosi themele të qëndrueshme për zbatimin e aktiviteteve të planifikuara në muajt në vijim.
