Shkup, 23.02.2026 – Sot, në ambientet e Fakultetit të Shkencave Informatike të Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup, u zhvillua me sukses Konferenca Kombëtare Trajnuese për Inteligjencën Artificiale dhe Sigurinë Kibernetike. Ky aktivitet u shërbeu studentëve për avancimin e njohurive teorike dhe aftësive praktike në dy nga fushat më kritike të teknologjisë së informacionit.

Punimet e konferencës i hapi rektori i UNT-së, Prof. Dr. Bekim Fetaji, i cili përshëndeti të pranishmit dhe theksoi përkushtimin e universitetit për të qenë lider në promovimin e inovacioneve teknologjike. Ai vuri në dukje se përgatitja e kuadrove të reja në përballjen me sfidat e sigurisë digjitale është prioritet strategjik i institucionit tonë.

Kjo konferencë u realizua nën mentorimin dhe mbikëqyrjen e vazhdueshme të dekanes së Fakultetit të Shkencave Informatike, Doc. Dr. Majlinda Axhiu, dhe Doc. Dr. Fisnik Doko, të cilët u kujdesën që programi të harmonizonte kërkesat e tregut të punës me praktikat më të mira akademike.

Diskutimet u përqendruan në protokollet e aplikuara të Inteligjencës Artificiale dhe strategjitë e avancuara mbrojtëse në sigurinë kibernetike. Veçanti e këtij aktiviteti ishin sesionet laboratorike, ku studentët patën rastin të zhvillojnë module praktike mbi krijimin e sistemeve mbështetëse të bazuara në IA për identifikimin e kërcënimeve kibernetike.

Në këtë konferencë, ligjërues dhe trajnues ishin emra të njohur të industrisë dhe akademisë: Dr. Debabrata Samanta, Orgest Rushi, Rubin Shatku, Irsa Doci dhe Dalina Canhasi.

Pjesëmarrësit patën mundësinë të diskutojnë drejtpërdrejt me ekspertët mbi rastet studimore, sfidat e implementimit të IA-së dhe tendencat e fundit të mbrojtjes së të dhënave në shkallë globale.

By