Në kuadër të Fakultetit të Shkencave Informatike të Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup, u organizua eventi teknologjik GitHub Copilot Dev Days 2026, i dedikuar inteligjencës artificiale dhe përdorimit të saj në zhvillimin modern të softuerit.
Eventi u organizua me iniciativën dhe angazhimin e Doc. Dr. Fisnik Doko, profesor në Fakultetin e Shkencave të Informatikës në UNT dhe Microsoft Most Valuable Professional (MVP), përmes bashkëpunimit ndërmjet Albanian Azure User Group dhe Macedonian .NET Community.
Gjatë aktivitetit, pjesëmarrësit i përshëndeti edhe Dekanja e Fakultetit të Shkencave të Informatikës, Doc. Dr. Majlinda Axhiu, e cila u uroi mirëseardhje dhe shprehu mbështetjen për organizimin e aktiviteteve që lidhin njohuritë akademike me zhvillimet bashkëkohore teknologjike.
Gjatë eventit, studentët dhe pjesëmarrësit patën mundësinë të njihen me GitHub Copilot, një mjet i bazuar në inteligjencën artificiale që mbështet zhvilluesit gjatë procesit të programimit.
Aktiviteti përfshiu prezantime teknike, demonstrime praktike dhe një workshop, gjatë të cilit pjesëmarrësit aplikuan njohuritë e fituara në sfida konkrete programimi, duke përdorur GitHub Copilot për gjenerimin e kodit dhe krijimin e pull requests.
Ky aktivitet përfaqëson një hap të rëndësishëm në drejtim të fuqizimit të bashkëpunimit ndërmjet Fakultetit të Shkencave të Informatikës, profesionistëve të industrisë së teknologjisë dhe komuniteteve të zhvilluesve.
Përmes iniciativave të tilla, Fakulteti i Shkencave të Informatikës në Universitetin “Nënë Tereza” në Shkup do vazhdon të promovojë inovacionin, zhvillimin e aftësive praktike të studentëve dhe integrimin e teknologjive të inteligjencës artificiale në procesin e edukimit dhe zhvillimit profesional.
