Universiteti “Nënë Tereza” dhe Universiteti Epoka në Tiranë, prej tash e tutje do të bashkëpunojnë në fushën akademike. Për këtë qëllim është nënshkruar edhe marrëveshje bashkëpunimi gjatë një vizite të rektorit Pollozhani dhe bashkëpunëtoreve të tij të zhvilluar në kryeqendrën shqiptare, Tiranë. Marrëveshja parasheh bashkëpunim ndëruniversitar në të gjitha nivelet e studimit, si dhe shkëmbimin e stafit akademik dhe të studentëve, projekte të përbashkëta zhvillimore dhe hulumtuese, seminare dhe takime të tjera për çështje akademike e shkencore. Vlen të theksohet se Universiteti Epoka aktivitetin e tij e zhvillon kryesisht në shkencat teknike dhe kryeson listën e universiteteve më cilësorë në Shqipëri dhe rajon.

Udhëheqësit e të dy universiteteve e vlerësuan lartë arritjen e kësaj marrëveshje akademike. Rektori Pollozhani, tha se përvoja që ka Universiteti Epoka është një mundësi e mirë që do të shfrytëzohet nga studentët dhe mësimdhënësit e UNT-së. Ndërkaq edhe Rektori i Universitetit Epoka, Prof. Dr. Güngör Turan e vlerësoi lartë arritjen e kësaj marrëveshje duke theksuar se ata do të jenë të hapur për bashkëpunim në të gjitha fushat akademike të interesit të ndërsjellë.

Gjatë kësaj vizite në Tiranë, Rekori Pollozhani po ashtu realizoi edhe një takim me rektorin e universitetit Politeknik të Tiranës, Prof. Dr. Andrea Maliqari. Udhëheqësit e të dy universiteteve diskutuan mbi sferat e mundshme të bashkëpunimit dhe u dakorduan që marrëveshja mes këtyre dy institucioneve të nënshkruhet në hapësirat e UNT-së në Shkup.

By