Ju njoftojmë se pas një sëmundje të shkurtër, të martën mbrëma ndërroi jetë pedagogu i Universitetit Nënë Tereza, Valben Mustafa. Ai ishte i lindur me 21 dhjetor të vitit 1968 në qytetin e Strugës ku kreu edhe arsimin fillorë dhe atë të mesëm. Studimet në degën e Inxhinierisë së Ndërtimit i mbaroi në Universitetin Politeknik të Tiranës. Studimet e magjistraturës i mbaroi pranë fakultetit të Ndërtimtarisë në Universitetin “Shën Kirili dhe Metodi” në Shkup, ku edhe vijonte studimet e doktoratës.
Prej viti 2006 ishte i angazhuar në Ministrinë e Transportit dhe Lidhjeve si një ndër inxhinierët kryesorë, nga ku në vitin 2016 iu bashkua stafit akademik të Universitetit Nënë Tereza në katedrën e Ndërtimtarisë dhe Arkitekturës si një ndër themeluesit e këtij Universiteti.
Me vdekjen e hershme të Valbenit, studentët dhe kolektivi i Universitetit Nënë Tereza, humbën kolegun dhe mësimdhënësin e shkëlqyeshëm i cili do të mbahet mend në mes tjerash për aktivitetin e tij të palodhshëm e të dalluar.
Në marrëveshje me familjen, Universiteti Nënë Tereza do të organizojë edhe mbledhje komemorative, për të cilën do të ju njoftojmë në mënyrë plotësuese.