Shkup, 10.11.2018 Universiteti “Nënë Tereza” në Shkup startoi me ciklin e dytë të studimeve. Studimet postdiplonike, që ishin edhe një nga premtimet që u bënë nga Rektori Azis Pollozhani, para dy viteve tashmë po realizohen, ndërsa 36 kandidatë do të zhvillojnë ligjëratat e ciklit të dytë në gjithsej shtatë programe studimore, dhe atë: Inxhinieri ekonomike dhe menaxhment, media dhe komunikim ndërkulturorë, inxhinieri softuerike e aplikuar, punë sociale dhe politikë sociale, sport dhe shkenca sportive, studime evropiane dhe marrëdhënie ndërkombëtare dhe matematikë-informatikë për mësimdhënie.
Në ceremoninë e rastit rektori i UNT-së, Prof.Dr. Azis Pollozhani, u uroi mirëseardhje kandidatëve të diplomuar të cilët plotësuan kushtet për ndjekjen e ciklit të dytë të studimeve, në këtë universitet shtetërorë në gjuhën shqipe në Shkup.
Pollozhani gjatë fjalimit të tij theksoi se Universiteti Nënë Tereza në Shkup funksionon në bazë të parimit ‘Studenti është i pari’, ndërsa në mënyrë simbolike u ndau indeksat kandidatëve të gjeneratës së parë të studimeve postdiplomike, që paraqet një ngjarje të veçantë për institucionin më të ri të arsimit të lartë në gjuhën shqipe në vend, dhe i cili është duke i zhvilluar programet e parapara gjatë themelimit, dy vite më parë.
Data 10 dhjetor 2018 për UNT-në paraqet realizim të vullnetit, vizionit dhe ambicieve të kandidatëve, të cilët shfaqën interes të jashtëzakonshëm për të vazhduar profesionalizmin e tyre në sferat përkatëse duke u regjistuar në shtatë programet studimore.
Universiteti Nënë Tereza në Shkup, për momentit zhvillon vitin e tretë akademik të studimeve deri-diplomike, në 5 fakultete me gjithsej 28 drejtime studimi.