Universiteti ‘Nënë Tereza’ zhvilloi Seminar për stafin akademik, ku morrën pjesë profesorë, asistentë dhe demonstratorë të UNT-së, me ç’ rast nga ekspertë të huaj dhe vendas u ligjerua për akreditimet dhe programet e reja studimore në UNT.
Rektori i Universitetit ‘Nënë Tereza’ në Shkup, Prof. Dr. Aziz Pollozhani, para të pranishmëve prezantoi gjëndjen aktuale në universitet, planet që janë duke u realizuar si dhe qëllimet për të ardhmen. Pollozhani tha se brenda katër viteve UNT-ja ka arritur një transformim të madh, si në aspekt të cilësisë, rritjes së ofertës përmes rritjes së numrit të stafit akademik e poashtu administrativ dhe rritjes së numrit të programeve studimore. Pollozhani informoi se qëllimi për të hapur studimet e ciklit të dytë është arritur që para dy viteve, ndërsa tha se në plan afatgjatë qëllim i UNT-së janë studimet e doktoraturës.
E pranishme në seminar, znj. Heather Henshaw, eksperte ndërkombëtare për menaxhimin e cilësisë në arsimin e lartë, zhvilloi trajnim me temë siguria e cilësisë. Ajo elaboroi zhvillimin dhe sigurimin e cilësisë në Universitetin “Nënë Tereza”, në frymën e aktiviteteve për akreditim dhe riakreditim. Znj. Henshaw tha se zhvillimi i cilësisë është një kulturë, që kërkon kontributin e gjithësecilit të institucion.
Eksperti i Komisionit Evropian për menaxhimin e cilësisë së programeve studimore të arsimit të lartë, z.Bekim Marmullaku, zhvilloi ligjeratën me titull “Qasja moderne në shkrimin dhe përcaktimin e rezultateve të të nxënit në programet e studimit të arsimit të lartë”
Prorektori për Shkencë i UNT-së, njëherit moderator i seminarit, Prof. Dr. Bekim Fetaji, zhvilloi ligjeratë me temë ‘Procesi i akreditimit – njoftim me procesin e akreditimit dhe sqarime për shtojcat e Elaboratit për akreditim shtojcën 1,2,3 dhe 4’, ndërsa prorektori për arsim i UNT-së, Prof. Dr. Zoran Trifunov, zhvilloi ligjeratë me temë ‘Kodifikimet e reja dhe specifikat e elaborative në pjesën e silabuseve’.
Në fund të seminarit, Rektori i Universitetit ‘Nënë Tereza’ në Shkup, Prof. Dr. Aziz Pollozhani të pranishmëve u ndau çertifikata.