03.05.2020 – Universiteti “Nënë Tereza” në Shkup kujton ditën botërore të Lirisë së Shprehjes e cila shënohet çdo vit për të kujtuar se liria e shprehjes është e drejtë themelore njerëzore dhe se liria e shprehjes ngelë shtyllë e rëndësishme e demokracisë si një element thelbësor për një të ardhme të qëndrueshme.
Mbrojtja e lirisë së shprehjes dhe medias në kohë pandemie ka një rëndësi jetike. Në thuajse të gjitha shtetet evropiane njerëzit kanë jetuar të mbyllur në shtëpi për gati dy muaj, një situatë e cila ka ndikuar thellësisht mbi komunitetet tona, ekonominë, familjet dhe jetën e përditshme.
Liria e shtypit konsiderohet si dritarja që shërben për të zbuluar abuzimet e të drejtave të njeriut, ai përbën lirinë e shprehjes. Në kuadër të kësaj lirie, mediat dhe gazetarët kanë përgjegjësitë e tyre. Kjo ditë shërben për të kujtuar dhe reflektuar rreth punës, kurajës dhe guximit të individëve që gjatë diktaturës komuniste dhanë një kontribut të madh me shkrimet dhe veprat e tyre të ndaluara nga regjimi i kohës dhe që për të mbrojtur lirinë e shprehjes disa e paguan edhe me jetë.
Në kujtim të gazetarëve që kanë dhënë jetën për të drejtën për të qenë të informuar, UNESCO vazhdimisht në këtë ditë kërkon mbajtjen e një minute heshtje në kujtim të tyre. Përgjegjësia e gazetarit, medias apo botuesit është të raportojë vetëm të vërtetën me qëllim fuqizimin e lirive në vendet e tyre por dhe anembanë botës.