Shkup, 17 dhjetor 2021 – Në Universitetin ‘Nënë Tereza’ në Shkup sot u zhvillua Seminari ndërkombëtar, ‘Prodhimi bio-ushqimor, standardet, tendencat dhe sfidat’, nën organizim të Fakultetit të Shkencave Teknologjike.
Me fjalim mirëseardhës seminarin e hapi Rektori i UNT-së, Prof. Dr. Aziz Pollozhani, i cili shprehu kënaqësinë që UNT në përgjithësi dhe Fakulteti Shkencave Teknologjike, degë deficitare në tregun e punës, arritën të organizojnë një seminar të tillë.
Prof. D-r Afrim Hamidi nga Fakulteti i Bujqësisë dhe Veterinarisë, të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” zhvilloi prezantim me temë ‘Perspektivat e prodhimit të mishit bio të shpendëve – mundësitë dhe sfidat’, ndërsa një përmbledhje për kërkesat e BE-së për sigurinë ushqimore BIO prezantoi D-r. Karsten Giffey, diplomat i Kolegjit Evropian të Shëndetit Publik Veterinar.
Me temën ‘Diagnostifikimi dhe shtypja e shpejtë e sigurisë së ushqimit’, u paraqit D-r Bledar Bisha nga Departamenti i Shkencave Zooteknike të Universitetit Wyoming, SHBA, ndërsa Prof. Dr. Agim Rysha, nga Universiteti “Haxhi Zeka”, në Pejë ligjëroi me temë ‘Tendencat dhe perspektivat e zhvillimit të Produkteve Mjekësore dhe Aromatike dhe Sektori i Mjedrës në Kosovë’.
Në seminar paraqitje kishin edhe pedagogët e UNT-së Doc.D-r Olga Popovska, Doc. D-r Vladimir Kitanovski dhe studentja Egzona Shaqiri nga Fakulteti i Shkencave Teknologjike. Seminarin e moderoi deh ndau çertifikata pjesëmarrësve dekani i Fakultetit të Shkencave Teknologjike Doc. D-r Sani Demiri.