STUDENTËT E UNT-së REALIZUAN VIZITË STUDIMORE NË DREJTORINË E DOGANAVE NË SHKUP

Shkup, 28 Dhjetor 2021 – Studentët e programit studimor Dogana, shpedicion, dhe sigurime pranë Fakultetit të Shkencave Teknike (FSHT) të Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup,  realizuan vizitë studimore në Drejtorinë e doganave në Shkup, si pjesë e realizimit të aktiviteteve të parapara në Memorandumin e bashkëpunimit në mes të dy institucioneve.

Studentët e shoqëruar nga Dekani i Fakultetit të Shkencave Teknike, Prof. dr. Agim Mamuti, koordinatori i programit studimor Doc. dr. Bujamin Bela, ligjëruesi Mr. Valon Ramadani, si dhe Sekretari Nehar Aliu, patën rastin që të ndjekin në mënyrë të drejpërdrejtë nga udhëheqësja e sektorit të trajnimeve doganore znj. Zhaklina Andreska, temat që kanë të bëjnë me: Modernizimin e Drejtorisë doganore, në drejtim të lehtësimit të tregtisë dhe digjitalizimit të procedurave doganore.

Vlen të theksohet se drejtimi Dogana, shpedicion, dhe sigurime është i vetmi drejtim studimor që ofrohet në kryeqytetin e Shkupit, dhe interesimi për të studiuar në këtë drejtim është i jashtëzakonshëm.