Rektori Zeqiri në emër të UNT-së pranoi donacion afër 700 botime shkencore

Shkup, 22.09.2022 – Rektori i Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup Prof. dr. Izet Zeqiri sot priti në takim pune delegacionin e prirë nga kryetari i Akademisë së Shkencës të Shqipërisë, Akademik Skënder Gjinushi.

Rektori Zeqiri njoftoi për së afërmi kryetarin e Akademisë së Shkencës të Shqipërisë Akademik Skënder Gjinushi për zhvillimin e UNT-së si dhe falënderoi për pasurimin e bibliotekës Universitare në donacion afër 700 botime shkencore duke dhuruar plaketë ‘Në shenjë falënderimi dhe vlerësimi për kontributin e dhënë në thellimin e raporteve dhe bashkëpunimit midis Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup dhe Akademisë së Shkencave të Shqipërisë në fushat dhe shkencat e interesit të përbashkët’. 

Akademik Skënder Gjinushi falënderoi Rektorin Zeqiri për bashkëpunimin e ndërsjelltë duke dëshiruar që nënshkrimet e vendosura sot ti realzojnë në praktikë që nesër.  

UNT dhe ASHSH me nënshkrimin e marrëveshjes së bashkëpunimit ka për qëllim rregullimin e bashkëpunimit ndërinstitucional midis Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup dhe Akademisë së Shkencës të Shqipërisë, si dhe midis strukturave përbërëse të tyre duke përcaktuar prioritete themelore të bashkëpunimit dhe mënyrë të zbatimit të tyre, mbështetur në legjislacionin në fuqi e në parime të gjithëpranuara dhe në interesa të përbashkëta.

Parim themelor rregullues për bashkëpunimin e Palëve do të jetë liria akademike dhe autonomia universitare. UNT dhe ASHSH do të bashkëpunojnë duke respektuar njëra-tjetrën në vetëveprimin e tyre të rregulluar me ligje dhe me akte nënligjore, duke ruajtur dhe zhvilluar traditat më të suksesshme, përmes nismash, projektesh dhe veprimtarish të përbashkëta akademike e kërkimore-shkencore. Në veprimtaritë e përbashkëta dhe jashtë tyre, Palët pranojnë dhe respektojnë Kodin evropian të sjelljes për integritet në kërkimin shkencor. Ato mbajnë qëndrim kritik dhe të papajtueshëm ndaj të gjitha formave të plagjiaturës dhe pseudoshkencës.

By