Shkup, 13.04.2023 Rektori i Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup, Prof. Dr. Izet Zeqiri sot zhvilloi takim pune me drejtorin e Institutit për Trashëgimi Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, Prof.dr. Skender Asani.
Rektori Zeqiri informoi mysafirin me zhvillimet në Universitetin “Nënë Tereza” në Shkup, rritjen e vazhdueshme të numrit të studentëve, pasurimin e ofertës studimore me tre fakultete të reja dhe nëntë programe studimore krejtësisht të reja, punimet intenzive rreth adaptimit të objekteve dhe infrastrukturës në hapësirat e reja të UNT-së në ish-kazermën Ilinden, si dhe zgjedhjen e UNT-së një ndër pesë universitetet më të mira në vend, nga 24 sa janë gjithsej në vend.
Drejtori Asani informoi rektorin Zeqiri mbi veprimtarinë e Institutit për Trashëgimi Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup, aktivitetet e saj si dhe për hapjen e një departamenti të veçantë brenda institutit që merret ekskluzivisht me jetën dhe veprën e Gonxhe Bojaxhiut-Nënës Terezë.
Zeqiri dhe Asani u dakorduan që bashkëpunimi i shkëlqyeshëm mes dy institucioneve të thellohet edhe më tej.